RUSI – Putin dhe Assad kërkojnë rifillimin e dialogut politik në Siri

SOÇI, 18 maj /ATSH-AFP/ – Presidenti rus, Vladimir Putin dhe aleati sirian, Bachar al-Assad theksuan, gjatë një takimi në Rusi, se kishte ardhur koha për përshpejtimin e procesit politik që synon të kthejë faqen e shtatë viteve konflikt në Siri, për të kaluar në rindërtim dhe në tërheqjen e forcave të huaja të përfshira.

Ky ishte takimi i parë mes presidentit rus dhe homologut sirian që prej një takimi të shkurtër në muajin dhjetor në bazën ruse të Hmeimim në Siri, në përfundim të të cilit Putin njoftoi tërheqjen e një pjese të kontigjentit ushtarak rus, i pranishëm në vend.

Dy drejtuesit ishin takuar gjithashtu në nëntor, në Sotchi, qytet turistik pranë Detit të Zi, në jugperëndim të Rusisë, ku presidentit rus ka një rezidencë.

Ashtu si në nëntor, takimi u mbajt sekret. Vetëm në mbrëmje u publikuan pjesë të shkurtra nga takimi mes dy krerëve, të cilët nënvizuan suksesin ushtarak të regjimit, mbështetur nga ushtria ruse.

Ky takim duket se ka inkurajuar presidentin sirian, i urryer për perëndimorët, si drejtues i lojës në vendin e tij, ndërkohë që presidenti rus, Vladimir Putin po përgatitet të presë sot kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe javën e ardhshme presidentin francez, Emmanuel Macron.

“Putin përshëndeti presidentin sirian për sukseset e ushtrisë qeveritare siriane në luftën kundër grupeve terroriste, që kanë mundësuar krijimin e kushteve të favorshme për një aktivizim të procesit politik në shkallë të gjerë”, sipas një komunikate të Kremlinit./
/ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.