Platforma e bashkëqeverisjes/Gjyshit të dy vajzave me statusin e jetimit i rikthehet ndihma ekonomike

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155816681506523/

TIRANË, 18 maj/ATSH/ – Koordinatorja e bashkëqeverisjes në ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Gordani, rrëfen se si zyra e bashkëqeverisjes i dha zgjidhje hallit të një qytetari nga Lushnja, gjysh i dy vajzave me statusin e jetimit, të cilit i ishte mohuar ndihma ekonomike për dy muaj.

Pas verifikimeve u vërtetua se shkak për mosmarrjen e ndihmës ekonomike ishte një neglizhencë e administratorit social në bashkinë Lushnje, për të cilin u morën masa për largimin nga puna.

Gordani u shpreh se bazuar në ankesat e ardhura në platformën e bashkëqeverisjes për ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mund të themi se qytetarët kanë një ndjeshmëri ndaj çështjeve që i përkasin shëndetit apo mbrojtjes sociale.
Totali i ankesave u shpreh Gordani është 740 dhe ndër këto 90 % e ankesave janë zgjidhur.

“Nëse do të bënim një ndarje të tipologjive të ankesave të sektorit të shëndetësisë apo mbrojtjes sociale, sektori i shëndetësisë ka 70% të ankesave. Këtu mund të përmendim pakënaqësitë ndaj shërbimit të ofruar nga personeli mjekësor nëpër qendra shëndetësore apo spitale, mungesën e medikamenteve për një grup pacientësh, kërkesa për përshpejtim të procedurave nga individë që kanë nevojë për një trajtim më të specializuar në Turqi dhe kërkesa për rimbursime medikamentesh”, – deklaroi Gordani.

Ndërsa ankesat për shërbimin social lidhen me skemën e ndihmës ekonomike, apo ankesat nga persona me aftësi të kufizuar për skemën e pagesës së paaftësisë.

“Të gjitha këto ankesa kanë të bëjnë me ato familje që janë të përjashtuara nga skema e re e ndihmës ekonomike. Për këtë arsye ankesat janë marrë në konsideratë dhe janë kryer verifikimet e duhura me drejtoritë rajonale të shërbimit social shtetëror në moment. Aty ku janë verifikuar se janë pikët e pamjaftueshme për familjen, atëherë ato janë orientuar për aplikim, ose janë orientuar për t’u përfshirë në 6% e fondit të bashkisë për ndihmën ekonomike”, – shpjegoi koordinatorja.

Platforma e bashkëqeverisjes, theksoi ajo, është një mundësi e hapur komunikimi me të gjithë njerëzit.

Duke marrë parasysh se Ministria e SHMS ka në fokus shtresat në nevojë, të cilat jo të gjithë e kanë aksesin që të hedhin një ankesë apo të regjistrohen në sistem, Gordani informoi se, për të gjithë qytetarët që paraqiten fizikisht në Ministri është vënë në dispozicion një formular, i cili u jep mundësinë të regjistrojnë ankesat e tyre.

“Në këtë mënyrë platforma e bashkëqeverisjes bëhet më gjithëpërfshirëse duke i trajtuar në mënyrë të barabartë të gjithë personat”, – deklaroi koordinatorja.

Gordani theksoi ndër të tjera se, referuar edhe ankesave të mbërritura, kategoritë më të afektuara janë familjet pa të ardhura, ato me të ardhura të pamjaftueshme, fëmijët jetimë që nuk janë në institucione, apo viktimat e dhunës në familje dhe ato të trafikimit.

/a.gjonaj//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.