Autoriteti Rrugor hap tenderin për by-pass-in e Tepelenës

TIRANË, 18 maj /ATSH/- Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për ndërtimin e lotit të parë të by-pass-it të Tepelenës. Projekti përfshin lidhjen e dy segmenteve rrugore, atë të segmentit Levan-Tepelenë në hyrje me segmentin në dalje Tepelenë-Gjirokastër-Kakavijë, si pjesë e korridorit Veri-Jug.

Fondi limit nga buxheti i shtetit, caktuar për kryerjen e punimeve është rreth 2.4 miliardë lekë, ose rreth 18.9 milionë euro me kursin aktual të këmbimit. Kohëzgjatja e punimeve do të jetë 22 muaj pas nënshkrimit të kontratës, që llogaritet që segmenti të jetë i përfunduar në qershor të vitit 2020.

Rruga e re do të shtrihet përgjatë rrugës ekzistuese 2.7 kilometra, ndërkohë që gjatë punimeve nuk do të preket trafiku rrugor, pasi është parashikuar një rrugë shërbimi brenda qytetit për devijimin e trafikut.

Ky segment do të realizojë lidhjen edhe me Kardhiqin, ndërsa do t’i japë mundësi hapjes së projektit të lotit të radhës së rrugës Korçë-Ersekë. /e.xh//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.