Traget për mjetet e transportit, nis funksionimin linja Shëngjin-Ravena

TIRANË, 17 maj/ATSH-Maela Marini/ – Trageti për mjetet e transportit i tipit RO-RO “ANA” ka nisur të funksionojë në Portin e Shëngjinit. Linja e parë është vendosur me portin e Ravenas në Itali dhe kjo konsiderohet një lëvizje mjaft e rëndësishme për zhvillimet e mëtejshme në këtë port detar në veri të Shqipërisë.

Kamionët e mallrave do të mund të lëvizin nga Shëngjini drejt Italisë dhe anasjelltas dy herë në javë. Arritja e kësaj marrëveshje ka qenë një angazhim maksimal i drejtuesve në këtë port, të cilët shohin kapacitetet e lartë të zhvillimit që aktualisht disponon porti i Shëngjinit.

Drejtori i Portit, Ermal Pacaj shpjegoi se interesimi i kompanive për të operuar nëpërmjet Shëngjinit është i lartë, kjo edhe për shkak të kohës së shkurtër të përpunimit, tarifave dhe shkurtimimit të distancave për operatorët në veri. Sipas tij, përdorimi i portit të Shëngjinit për lëvizjen e trajlerave me mallra do të ndikojë në ndryshimin e imazhit dhe rritjen e të ardhurave për këtë port.

“Trageti ‘ANA’ ka filluar shërbimet në Portin e Shëngjinit nga data 14 maj, për të vijuar sipas një kontrate të nënshkruar tashmë ndërmjet SH.A Porti Detar Shëngjin dhe Operatorit Tregtar. Ky traget do të operojë në linjën Shëngjin – Ravena dhe anasjalltas dy herë në javë dhe kryesisht do të jetë për mjetet e transportit dhe jo për pasagjerë”, tha ai.

Kjo, sipas Pacaj, i jep një impakt shumë pozitiv imazhit të Portit të Shëngjinit, jo vetëm në planin financiar, por edhe duke zgjuar interesin e operatorëve të tjerë, të cilët vazhdimisht po interesohen gjithnjë e më shumë të operojnë me Portin e Shëngjinit.

Pacaj tha se, Porti i Shëngjinit pret të zgjerojë kapacitetin e tij në funksion edhe të një trageti pasagjerësh, i cili do kishte një impakt shumë pozitiv edhe për zhvillimin ekonomik dhe turistik të Shëngjinit.

“Për shkak të proçedurave të thjeshtuara, tarifave konkuruese dhe kohës së shkurtër në përpunim dhe shërbimit që merret nga autoritetet portuale dhe administratat e saj, kemi konstatuar me kënaqësi një interes në rritje të operatorëve për të operuar nëpërmjet Shëngjinit dhe ky është një detyrim i yni për të shërbyer akoma më shumë. Vëmendja e qeverisë ndaj kësaj porte detare në veri të vendit ka qenë maksimale, ndaj edhe projektet mbështetëse për këtë port nuk mungojnë nga kjo qeveri”, tha ndër të tjera Drejtori i Portit të Shëngjinit, Ermal Pacaj.

Trageti për mjetet e transportit i tipit RO-RO ka bërë ankorimin e parë në Portin e Shëngjinit, ndërsa garantohet vazhdimësia e kësaj linje me synimin për të shtuar këtë fluks si dhe numrin e destinacioneve.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.