SHBA – Uashingtoni dhe Pekini rifillojnë negociatat tregtare

UASHINGTON, 17 maj /ATSH-AFP/ – SHBA-ja dhe Kina rifilluan sot negociatat tregtare nën kërcënimin e hyrjes së mundshme në fuqi të sanksioneve amerikane që do të rikthenin spektrin e një lufte tregtare.

“Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin do të drejtojë sot dhe nesër diskutimet me një delegacion kinez, drejtuar nga zëvendëskryeministri kinez, Liu He”, njoftoi sot Shtëpia e Bardhë.

Liu He, një i bashkëpunëtor i afërt i presidentit kinez, Xi Jinping, i ngarkuar për të drejtuar politikën ekonomike të gjigantit aziatik, kishte ndërmarrë tashmë seancën e parë të bisedimeve në Pekin me një delegacion amerikan të drejtuar nga Steven Mnuchin, pa avancime të mëdha.

“Këto takime janë vazhdimi i diskutimeve që janë zhvilluar në Pekin dy javë më parë dhe do të përqendrohen në riekuilibrimin e marrëdhënieve ekonomike mes SHBA-së dhe Kinës”, theksoi Shtëpia e Bardhë.

Ajo kërkon nga Pekini një reduktim prej 200 miliardë të deficitit tregtar të SHBA-së me Kinën, që ka arritur në 375 miliardë në 2017.

“Steven Mnuchin do të drejtojë diskutimet përkrah sekretarit të Tregtisë, Wilbur Ross dhe përfaqësuesit amerikan të Tregtisë (USTR) Robert Lighthizer”, theksoi Shtëpia e Bardhë duke shtuar se edhe zyrtarët të tjerë të administratës Trump do të marrin pjesë gjithashtu në këto takime./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.