Pacolli: Mosmarrëveshjet politike po pengojnë bashkëpunimin ekonomik

187

TIRANË, 17 Maj/ATSH/ – Zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, i cili po mbahet në kuadër të Samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Sofje të Bullgarisë. Pacolli tha se bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor është çelës për shfrytëzimin e potencialit ekonomik të rajonit tonë.

“Pasi po shohim një rivitalizim të marrëdhënieve në mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duhet të shfrytëzojmë sa më mirë këtë moment. Ballkani Perëndimor përsëri është lart në agjendën e BE-së”, shtoi Pacolli.

Megjithatë, sipas tij, mosmarrëveshjet bilaterale në nivel politik mbesin ende pengesë. “Fokusi duhet të jetë në heqjen e barrierave dhe lejimin e lëvizjes së lirë të investimeve, të mirave dhe njerëzve. Një perspektivë e qartë e anëtarësimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor mund të shpejtojë reformat në vendet e rajonit. Por, perspektiva e qartë evropiane është edhe garanci për më shumë investime.

Është e rëndësishme që BE të marrë qëndrim të guximshëm dhe të thotë që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të anëtarësohen në BE në të njëjtën kohë. Kjo do të inkurajojë frymën e bashkëpunimit të vërtetë rajonal, pasi suksesi i një shteti varet nga suksesi i fqinjëve të vet.

Prandaj, duhet t’i eliminojmë të gjitha elementet e kompeticionit në mes shteteve tona”, shtoi ai, pasi ka theksuar se Kosova do të mbetet e përkushtuar për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë në mes të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor./KosovaPress/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.