Ndërpritet seanca plenare, Basha nuk largohet nga foltorja

TIRANË, 17 maj/ATSH-Maela Marini/ – Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ndërpreu sot seancën plenare për të dytën herë rresht, pasi Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk pranoi të largohej nga foltorja e Kuvendit.

Pas deklaratës në seancën e sotme plenare, Kryetari i PD-së, Lulzim Basha nuk respektoi minutazhin e parashikuar nga Rregullorja e Kuvendit, duke vijuar fjalën e tij përtej limiteve kohore.

Kryetari i Kuvendit, Ruçi i kërkoi Bashës që t’ i lërë radhën kolegëve të tjerë opozitarë, pasi sipas tij, në seancën e sotme plenare deputetët e PD-së që kanë regjistruar emrat për të folur kanë në dispozicion rreth 6 orë e gjysëm debat.

“6 orë e gjysëm kanë në dispozicion të gjithë diskutantët e opozitës suaj, nuk po llogaris edhe gati një orë LSI, pra rreth 7 orë gjithsej. Opinioni publik po pret të dëgjoj fjalën e të gjithë kolegëve opozitarë që kanë regjistruar emrat për 7 orë. Ky është zbatim i rregullave në një parlament normal”, tha Ruçi.

Por nëse, ju, iu drejtua ai Kreut të PD-së, “doni t’i jepni mesazhin Sofjes që këtu nuk ka normalitet politik, kjo nuk do të jetë një lajm i mirë për Shqipërinë, por secili ka përgjegjësitë e veta”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.