Media raporton për gënjeshtra në dëshminë e publikuar nga PD

TIRANË, 17 maj/ATSH/ – Super dëshmitari i paraqitur nga Partia Demokratike si “bashkëpunëtori X” dhe që doli para telekamerave me zë e figurë me emrin, Albert Veliu, ka rezultuar i rremë në të gjitha deklaratat e tij, në lidhje me Agron Xhafajn, vëllanë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, bën me dije Report TV.

Ishte kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha që doli sot në një konferencë për mediet, ku publikoi një intervistë të personit që sipas PD-së ishte konsideruar si dëshmitari “X” dhe që u prezantua me emrin e sipërpërmendur.

Ndërkaq, katër ditë më parë PD-ja publikoi një material audio, në të cilin sipas saj dëgjohej Albert Veliu duke folur me Agron Xhafajn për të trafikuar lëndë narkotike. Veliu deklaroi se është një person i dënuar më parë për trafik droge, që kishte punuar me Agron Xhafën në këtë veprimtari të paligjshme. Sipas tij, mes tij dhe Agron Xhafajt kishte pasur qejfmbetje (nga ana e Veliut).

Dëshmitari ‘X’/ Albert Veliu ishte ekstraduar më 2013-n nga Italia për trafikim automjetesh

Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, më datën 14.08.2013, kreu ekstradimin nga Roma/Itali drejt vendit tonë të Albert Eqerem Veliut, asokohe vjeç 46, lindur në Vlorë.Duke filluar nga historia e tij gjyqësore në Itali, Albert Veliu tregoi se ishte arrestuar në Peskara më 2005 me 12 kg kokainë.

Historia e tij është ndryshe: Albert Veliu nuk është arrestuar më 2005, por, sipas dosjes italiane të tij tij që ekskluzivisht e ka gjetur Report TV, ai u arrestua në Peskara më 24 mars 2009 nga Policia, në bazë të një urdhër-arresti. Nuk u arrestua për trafikimin e 12 kilogramëve kokainë, por për trafikimin e 10 kilogramëve heroinë dhe një pistolete. Heroina u zbulua në vitin 2008 dhe ai u arrestua pas një viti së bashku me 15 bashkëfajtorë të tjerë.

Në atë dosje nuk u përmend asnjëherë emri i Agron Xhafës. Nga ana tjetër, vetë Albert Veliu thotë se ka punuar në “grupin e Agron Xhafës” nga viti 2000 deri më 2002, ndërkohë që nga viti 2002 deri më 2009, kur, si Xhafa, ashtu edhe Veliu, kanë qenë në Shqipëri, duket se nuk kanë patur më asnjë kontakt. Kështu që nuk kuptohet se përse Veliu ka pritur ndonjë ndihmë në burg nga Agron Xhafa pas arrestimi ne 2009, duke qenë se me të kishte ndërprerë çdo bashkëpunim në fushën e drogës shtatë vjet para arrestimit të tij.

Albert Veliu gënjen edhe për dënimin e tij

Në të vërtetë, Veliu nuk është dënuar me 11 vjet, por dënimi për të ishte 5 vjet, me vendim të Gjykatës së Peskaras, marrë më 7 janar 2011. Albert Veliu e vuajti dënimin në Itali deri në gusht 2013, kur u dëbua drejt Shqipërisë në bazë të kërkesës së autoriteteve të Tiranës, të cilat, që nga viti 2009, kishin kërkuar ekstradimin e tij nën akuzën e trafikimit të automjeteve. Kështu, më shumë se sa një super-trafikant droge, ai ishte i njohur në Shqipëri si një hajdut makinash.

Veliu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr. 143, datë 05.05.2008, e ka dënuar me 3 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të trafikimit të mjeteve motorike, parashikuar nga neni 141/a/1 i Kodit Penal.

Më datë 19.01.2006 policia rrugore ka bllokuar mjetin tip “Volskwagen Golf”, me targa JD15805. Pas hetimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi Albert Veliu, duke falsifikuar lejen e qarkullimit të automjetit të mësipërm, e ka futur atë në Shqipëri dhe ia ka shitur shtetasit Erion H.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, ky shtetas është arrestuar në Itali, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Në aeroportin Nënë Tereza në Rinas ky shtetas i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.