Kosova po pret liberalizimin e vizave, pas plotësimit të kushteve

149

PRISHTINË, 17 Maj/ATSH/.- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, theksoi sot se “Kosova tani po pret me të drejtë liberalizimin e vizave, pasi ka plotësuar numrin rekord të kushteve, si demarkacioni, etj”.

Në një takim me Komisionerin e BE-së për Politika Europiane të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, në kuadër të Samitit të Sofjes, Thaçi tha se “Bashkimi Europian dhe Ballkani Perëndimor po hapin një faqe të re të bashkëpunimit, i cili patjetër do të forcojë lidhjen ndërmjet shteteve dhe popujve në tërë Europën”.

“Në këtë moment të ri të krijuar, liberalizimi i vizave për qytetarët tanë do i forconte edhe më shumë marrëdhëniet dhe komunikimin tonë”, nënvizon Thaçi.

Sipas tij, kjo çështje është temë e rregullt e çdo takimi me komisionerin Hahn.

Por, shton ai, pjesë e bisedës sonë ishte edhe faza e re e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë ditës së sotme Thaçi u takua edhe kryeministrin e Greqisë, Aleksis Cipras, presidentin e Francës, Emmanuel Macron, ndërsa ditën e djeshme zhvilloi një takim edhe me përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, si dhe me liderë të tjerë të BE-së dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimorë /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.