Ulet tatim-fitimi nga 15-5% për 10 800 biznese

298

TIRANË, 16 maj/ATSH/- Nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama kanë përfituar ulje të ngarkesës fiskale mbi 90% e sipërmarrjeve shqiptare.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj gjatë një konference për shtyp të mbajtur sot deklaroi se është përgatitur drafti, i cili parashikon uljen e tatim-fitimit për bizneset me xhiro vjetore nga 8-14 milionë lekë nga 15% që është aktualisht në 5%.

Drafti, tha ai ka shkuar për diskutim në dikasteret e tjera të qeverisë dhe do të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2019.

“Për statistikë, janë 21 mijë sipërmarrje që janë objekt i tatim-fitimit në vlerën 15% . Dhe nga këto 21 mijë sipërmarrje 10 800 ose 50% e tyre ju zbritet tatim fitimi në 5%”, deklaroi ministri Ahmetaj.

Pra, shtoi ai, janë mbi 93 mijë biznese që kanë përfituar ulje të drejtpërdrejtë takse nga 110 mijë biznese që numërohen në të gjithë vendin.

“Nga 110 mijë biznese aktive, rreth 93 mijë e kanë tatim-fitimin 0-5%. Kanë përfituar ulje takse rreth 90% e sipërmarrjeve shqiptare nën drejtimin e qeverisë Rama”, theksoi kreu i financave publike.

Sipas tij, “tymnaja se kjo qeveri rrit taksat rezultoi një tullumbace”./a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.