Tirana si Parisi, me stacion të ri teknologjik

TIRANË, 16 maj/ATSH/-Tirana dhe Parisi janë dy stacionet e reja të teknologjisë. Ndërsa ka vlerësuar Shqiptarët si të etur për teknologjinë e Informacionit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është shprehur gjatë prezantimit të projektit për transformimin e Piramidës, se kjo e fundit do të ngrejë brezin e ri të së ardhmes.

“Më vjen mirë që sot janë Tirana dhe Parisi, dy stacionet e reja të Tumos dhe besoj se tashme jemi në garë me kolegët tanë në Paris se kush përgatit më shpejt terrenin për të filluar me këtë situatë”.

Veliaj ka theksuar se ky objekt do të kthehet në industri për 15 vitet e ardhshme.

“Në një farë mënyrë është pallati i pionerëve për teknologjinë e informacionit, ku të gjitha këto teknologji të 15 viteve të ardhshme do kemi mundësi ti përdorim. Besoj se edhe në Tiranë do na duhen shumë prej këtyre teknologjive. Më vjen mirë që edhe në Tiranë ne kemi uri për dije që do të lindin nga kjo piramidë, le më pastaj se çfarë mund të përdorim në të ardhmen”, u shpreh Veliaj.

Ndaj, ai tha se ka ardhur koha që Shqipëria të ngrejë kombin e vet, përmes rinisë.

“Kemi një pyetje thelbësore: ne do të vazhdojmë të jemi operatorët kryesore të këmishave, këpucëve për Europën perëndimore apo ndoshta ka ardhur momenti që ne të reflektojmë apo të bëjmë diçka sesi do të ngremë kombin tonë duke filluar nga Tirana dhe rinia e Tiranës në një kategori tjetër”, tha ai.

Ndërkaq, Veliaj solli në vëmendje bashkëpunimet e suksesshme me ADF dhe qeverinë si Pazari i Ri, Sheshi “Skënderbej” etj duke vlerësuar skuadrën e punës për projekte të mëdha edhe si ky i fundit.

“Në Tiranë ne do të fillojmë të kodojmë, do të fillojmë të merremi me robotikë, me inteligjencë artificiale, me software design dhe me të gjithë programet nga mosha 5 vjeç deri 35 apo 45 vjeç dhe kurdo që dikush do të ndihet i gatshëm”.

Veliaj shtoi se “idea është që të shkohet në një vend të bukur, në një hapësirë që është në zemër të qytetit dhe që është ndoshta xhevahiri më i shtrenjtë i qytetit pas projektit të sheshit “Skënderbej” dhe Pazarit të Ri. Një vend i mbyllur, një komb i vuajtur, një vend që ka kaluar shumë sfida dhe si ne Shqiptarët arrijmë të mbijetojmë me kreativitet, besoj se është shembulli më i mirë për t’u implementuar”.

Nga ana e tij, kryetari i bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, Michael Granoff tha se gjatë fjalës së tij se kjo qendër do të jetë simbol i së ardhmes.

“Shumë njerëz e shohin këtë piramidë në të shkuarën, por ky projekt lidhet me të ardhmen. Dhe nëse mendojmë sesi do duket Shqipëria në të ardhmen, duhet të shohim fëmijët këtu dhe nëse fëmijët kanë akses në teknologji, e ardhmja e tyre do të jetë e sigurt dhe e shndritshme. Këtu nuk ka programe për fëmijët pas shkolle që mund të sjellë ndryshim. Një nga gjërat që kemi mësuar është që është shumë  e vështirë të ri shpikim rrotën por shumë shpejt është që të sjellim modelet më të mira në botë dhe të krijojmë suksesin që duam të arrijmë.

Pra, kemi ndërmarrë shumë programe, kemi parë modelet më të mira në botë dhe i kemi sjellë ato në Shqipëri.

Granoff ka vlerësuar bashkëpunimin me qeverinë dhe bashkinë e Tiranës, ndaj ai siguroi zbatueshmërinë e këtij projekti në mënyrën e duhur.

“Në shumë nga projekte që kemi punuar kemi pasur mundësi të krijojmë një marrëdhënie shumë të mirë me qeverinë qendrore dhe me kryeministrin. Ne kemi punuar për projekte  sepse kemi parë që gjërat kanë funksionuar. Po kështu edhe me kryebashkiakun kemi pasur mundësi të bëjmë disa ndryshime thelbësore”, ka përfunduar ai.

z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.