TheBanker: Shqipëria sheh drejt prosperitetit dhe anëtarësimit në BE

144

TIRANË, 16 maj /ATSH/ – Bankat shqiptare pritet të rifillojnë dhënien e kredisë për sektorin e kompanive pasi përpjekjet e qeverisë për të ulur kreditë e këqija dhe reforma në drejtësi vazhdojnë të përmirësojnë mjedisin e biznesit dhe të rrisin shpresat për një të ardhme brenda BE-së, shkruan TheBanker.com, e specializuar për këshillim në fushën e investimeve alternative të kredive bankare.

Ashtu si shumë vende të Europës Jugore, edhe Shqipëria kaloi një periudhë të vështirë gjatë krizës globale financiare 2007 dhe 2008. Kreditë e këqija në bankat tregtare arritën në 25% të huave në shtator 2014, por që atëherë kanë rënë në 13.2%.

Qeveria beson se kriza më e keqe ka kaluar dhe shpreson që kreditë e këqija të zbresin  deri në fund të 2018. Që nga koha e krizës, bankat shqiptare kanë miratuar kritere shumë më të ashpra për dhënien e kredisë ndërsa bankat më të dobëta janë siguruar.

”Në mars 2017, asetet totale në sektorin bankar në Shqipëri qëndronin në 11,3 miliardë dollarë, sipas Bankës së Shqipërisë, krahasuar me një PPB prej 14 miliardë dollarësh”, sipas FMN-së.

”Bankat janë në pozita të forta”, – thotë guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

”Pjesa më e madhe e bankave në Shqipëri janë me kapital të huaj dhe si rrjedhojë kriza financiare globale nuk pati ndonjë ndikim këtu. Megjithatë, bankat mbeten fitimprurëse gjatë gjithë periudhës dhe të afta ta përballojnë si rrjedhojë e një raporti të ulët hua-depozitë prej 50%”, – thekson ai.

“Që nga kriza, Banka e Shqipërisë ka forcuar mbikëqyrjen dhe bankat janë bërë më konservatore”, – shton Sejko.

“Fatmirësisht, nuk kemi parë ndonjë shenjë nga kriza në Greqi apo problemet në Itali”.

Ai thekson se që nga koha e krizës, nuk ka patur mbështetje të mjaftueshme për sektorin prodhues të ekonomisë shqiptare.

“Bankat kanë hezituar të japin hua për kompanitë e mëdha, si rrjedhojë nuk kemi parë ndonjë investim të madh nga sektori i korporatave”, – thotë Sejko.

Sipas ekspertëve, praktikat konservatore të bankave në huadhënie, të drejtuara nga zyrat qendrore në vende të tjera, po frenojnë rritjen ekonomike të vendit.

Megjithatë, Fondi Monetar Ndërkombëtar projekton një rritje me 3.7% të ekonomisë këtë vit dhe tjetrin.

Sipas kryetarit të Shoqatës Shqiptare të Bankave, Silvio Pedrazzi, Shqipëria ofron disa mundësi të pashfrytëzuara ende, veçanërisht në energjinë e rinovueshme, turizëm dhe manifakturë.

Ai shton se vendndodhja e bën Shqipërinë një pikë hyrje për Ballkanin dhe për tregtinë me vendet europiane.

Bankat pritet të jenë në një pozitë të fortë financiare, duke ndjekur valën e fundit të konsolidimit dhe duhet të shfrytëzojnë mundësitë në të ardhmen, kryesisht kur anëtarësimi në BE të bëhet realitet. /e.xh//p.s/ /sm/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.