Sindrit Gurit transferohet tek KVV Oostende

174

TIRANË, 16 Maj/ATSH/ -Sulmuesi i Kukësit, Sindrit Guri do të vijojë karrierën e tij në Belgjikë, ku do të transferohet te skuadra KVV Oostende.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi belg në faqen zyrtare, ku ka njoftuar se kanë arritur një marrëveshje me sulmuesin shqiptar për 3 sezonet e ardhshme.

“Njoftojmë se kemi arritur marrëveshjen me Sindrit Gurin, sulmues shqiptar që luan në Ligën e parë të Shqipërisë, me Kukësin, ku është edhe golshënuesi më i mirë. Guri, 24 vjeç do të nënshkruaj për 3 sezonet e ardhshme me klubin tonë, ndërsa këto ditë pritet të vijë për të kaluar testet mjekësore”, thuhet në faqen zyrtare të klubit belg.

Sulmuesi shkodran vlerësohet me fjalë të mira në Belgjikë, dhe e shquajnë për 20 golat këtë sezon, në 35 takime. Drejtori sportiv i Ostendes, Hugo Broos, e ka ndjekur Live disa herë, po ashtu si edhe trajneri i ri i Ostendes, Gert Berheien, dhe cilësitë e tij e kanë bindur.

“Është një sulmues i madh dhe i fortë, dhe me një nuhatje të mirë për golin. Jemi absolutisht shumë të lumtur që Guri zgjodhi ekipin tonë, një lojtar të cilin e donim patjetër, dhe jam i bindur se do bëjë mirë në Belgjikë.” – deklaroi drejtori sportiv.

Edhe presidenti Peter Kalant, është i kënaqur me sulmuesin e ri: “Ai ka shumë ego të tregojë veten në një arenë të huaj, dhe është një lojtar me ADN-në që na duhet neve, i ri, me ambicie dhe me dëshirë për të mësuar. Ky është transferimi ynë i parë dhe shpresojmë të ketë edhe të tjerë”.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.