Mirëmbajtja e këndeve rekreative në Tiranë, më shumë siguri për fëmijët

127

TIRANË, 16 maj /ATSH- I. Vata/ – Bashkia e Tiranës ka nisur me riparimin e të gjitha moduleve të lojërave të dëmtuara si dhe të gjithë aksesorëve të tjerë të këndeve, si stolat, koshat apo ndriçuesit, duke e konsideruar si një sfidë më vete për sigurinë e qytetarëve.

Mirëmbajtja e përditshme për këndet rekreative në lagjet e Tiranës garanton më shumë siguri për fëmijët që luajnë në to.

“Ndërtimi i këndeve rekreative dhe atyre të lojërave për fëmijë në çdo lagje të Tiranës ishte një sipërmarrje jo e lehtë, që u bë realitet falë edhe bashkëpunimit të shumë donatorëve. Por tashmë mirëmbajtja e tyre është një sfidë edhe më e vështirë, që kërkon angazhim dhe përkujdesje të përditshme nga ndërmarrjet bashkiake”, thuhet në njoftim.

Bashkia e Tiranës e konsideron një sfidë më vete mirëmbajtjen e këndeve të lojërave për më shumë siguri për fëmijët.

“Ndaj për t’i mbajtur ato funksionale dhe të sigurta për fëmijët, punonjësit bashkiakë kanë përqendruar forcat, mjetet e materialet për ta fituar edhe këtë sfidë në funksion të fëmijëve e familjeve të Tiranës. Siç shihet edhe nga fotot, puna ka nisur me riparimin e të gjitha moduleve të lojërave të dëmtuara si dhe të gjithë aksesorëve të tjerë të këndeve, si stolat, koshat apo ndriçuesit”, thuhet nga bashkia e Tiranës.

Po ashtu bashkia e Tiranës u kërkonë qytetarëve dhe banorëve që të bashkëpunojnë për të mirëmbajtur.

“Natyrisht që fitorja e kësaj sfide të përditshme do ishte më e lehtë nëse edhe të gjithë banorët e Tiranës do të bashkëpunojnë për t’i mirëmbajtur këto kënde”, pohohet nga njoftimi i bashkisë së Tiranës. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.