Llogaridhënia çon në shkarkimin e kryeinspektorit të Mjedisit në Elbasan

TIRANË, 16 maj/ATSH/ – Pas ankesave të banorëve të Bradasheshit në llogaridhënien publike që u zhvillua dje në Elbasan për ndotjen që vjen nga Rafineria e Naftës apo uzinat në këtë zonë, është shkarkuar kryeinspektorja e e Mjedisit, Ada Guzi.

Ka qenë kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla që bëri të ditur lajmin.

“Drejtoresha që mbulon inspektimin e mjedisit të Elbasanit është shkarkuar dhe një përfaqësues tjetër do të komandohet me mandat të shkurtër. Në rast se këto njësi, drejtor, nuk vihen nën kontroll, qoftë ti, mos u habit, edhe ministri yt, duhet të largoheni nëse nuk vendoset rregull sa i përket kritereve të mjedisit në zonën e Bradasheshit”, – deklaroi deputeti Balla.

Ky lajm u konfirmua sot për ATSH edhe nga zv.ministrja e Mjedisit Ornela Çuçi.

Edhe më herët, Balla ka bërë apel për zgjidhjen e situatës në zonën e ish-kombinatit Metalurgjik, sidomos përsa i përket rafinerisë së përpunimit të produkteve të naftës e cila ujërat e ndotur i derdh në kanalet vaditëse të zonës. /n.lena/ /a.g/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.