Integrimi i Shqipërisë në BE, Daul: Domosdoshmëri vazhdimi i reformave

159

TIRANË, 16 maj /ATSH – I. Vata/ – Presidenti i Partive Popullore Europiane, Joseph Daul deklaron se ka patur një takim produktiv me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha përsa i përket integrimit të Shqipërisë në BE.

Daul thekson se në fokus të diskutimit me liderin e opozitës Basha ishte marrëdhënia aktuale e Shqipërisë me BE dhe domosdoshmëria e vazhdimit të reformave, kryesisht e reformës në drejtësi.

Në një postim në statusin e tij, “Twitter” Presidenti i PPE, Daul shprehet se “… patëm një takim produktiv me kryetarin e PD-së Lulzim Basha ku diskutuam për marrëdhëniet aktuale BE-Shqipëri dhe domosdoshmërinë për të vazhduar dhe zbatuar reformat”.

“Unë gjithashtu theksova rëndësinë e pavarësisë së drejtësisë, luftën kundër krimit dhe sundimit të ligjit”, – shprehet Daul.

Po ashtu, në një postim në statusin e tij, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaron se  i shpreha Presidentit të PPE Joseph Daul mbështetjen e opozitës për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.