Hapja e negociatave, Ruçi merr mbështetjen e Greqisë, Bullgarisë dhe Rumanisë

217

TIRANË, 16 maj/ATSH/ – Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, në datat 15 dhe 16 maj mori pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të Vendeve të Detit të Zi, zhvilluar në Stamboll.

Gjatë mbledhjes së Asamblesë Parlamentare, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi takoi Kryetarët e Parlamenteve të Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë dhe u kërkoi mbështetjen për çeljen e negociatave të BE-së me Shqipërinë në mbledhjen e qershorit 2018.

Kryetari i parlamentit grek, Nikos Voutsis premtoi se Shqipëria ka mbështetjen e plotë të Greqisë për hapjen e negociatave në mbledhjen e qershorit. Dhe kjo mbështetje është e merituar.

Kryetarja e Parlamentit të Bullgarisë, Tsveta Karayahncheva, nënvizoi se Bullgaria, si vendi që ka presidencën e BE, mbështet plotësisht integrimin europian të Shqipërisë dhe hapjen e negociatave në mbledhjen e qershorit. Për më tepër, Presidenca bullgare do të bëjë një paraqitje mjaft pozitive të arritjeve të Shqipërisë në plotësimin e kritereve të integrimit.

Kryetari i Senatit të Rumanisë, Călin Popescu-Tăriceanu premtoi se Rumania do të jetë një avokate e fuqishme e Shqipërisë për çeljen e negociatave në mbledhjen e qershorit, si një hap drejt integrimit të Shqipërisë dhe stabilitetit e prosperitetit në Ballkanin Perëndimor.

Në fjalën e tij në konferencë, Ruçi nënvizoi se PABSEC, duke përfaqësuar një rajon të botës me kultura, besime, histori e tradita të ndryshme zhvillimi, është e hapur për bashkëpunime më të gjera. Edhe pse PABSEC është një organizatë rajonale, përgjegjësia jonë është europiane e globale.

Në këtë kontekst, Ruçi bëri thirrje që PABSEC të zgjerojë bashkëpunimin me Parlamentin Europian, Këshillin e Europës, NATO-n, OSBE-në dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Mozaiku i kulturave dhe vlerave që promovojnë vendet e rajonit të Detit të Zi duhet të mbështetet në ekonomi të forta, zhvillim të qëndrueshëm dhe sisteme solidare, për jetën dhe mirëqenien e qytetarëve, që ata të gëzojnë më shumë liri, të jetojnë në shtete e shoqëri, të cilat demokratizohen vazhdimisht.

Përparësitë e këtij bashkëpunimi do të vazhdojnë të jenë integrimi ekonomik dhe zhvillimi i qëndrueshëm, infrastruktura dhe energjia, bujqësia dhe zhvillimi rural, turizmi dhe mbrojtja e mjedisit, arsimi, kultura, mbrojtja sociale, tregjet financiare dhe sistemet bankare, si edhe fusha të tjera që mund të sugjerojnë nevojat e zhvillimit të vendeve tona.

Gjatë konferencës, Kryetari i Kuvendit Ruçi u takua edhe me Kryetarin e Parlamentit të Gjeorgjisë, Kobakhidze, me të cilin ndanë të njëjtat vlerësime se parlamentet respektive duhet të punojnë që bashkëpunimi i mirë politik midis të dy qeverive, të konkretizohet në shtimin e përpjekjeve të bashkëpunimit ekonomik.

Kryeparlamentari Ruçi i kërkoi homologut që Gjeorgjia të rishikojë qëndrimin e saj ndaj njohjes së Kosovës./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.