FRANCË – Parisi: Koreja e Veriut duhet të tregojë sinqeritetin e saj për të negociuar

134

PARIS, 16 maj /ATSH-AFP/ – Koreja e Veriut duhet të tregojë sinqeritetin e saj për të negociuar për denuklearizimin e saj, vlerësoi sot ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean Yves Le Drian, pas kërcënimeve të Phenianit për të anuluar samitin me presidentin amerikan, Donald Trump.

“Ulje-ngritje mund të shfaqen sikurse e tregon aktualiteti në gadishull por ne nuk duhet të humbasim nga vëmendja objektivin”, deklaroi Le Drian me rastin e një takimi me homologun e tij kinez, Wang Yi.

“Ai është denuklearizimi i plotë dhe i verifikueshëm i gadishullit. Franca pret për pasojë nga Koreja e Veriut aplikimin e të gjitha detyrimeve të saj ndërkombëtare si dhe të angazhimeve të sakta për të treguar sinqeritetin e saj për të negociuar një braktisje progresive të programeve të saj bërthamore dhe balistike”, shtoi ai.

Pas muajsh afrim dhe lehtësim diplomatik, Pheniani kreu sot një rikthim spektakolar në retorikën e tij tradicionale, duke folur për mundësinë e anulimit të takimit historik të parashikuar në mes të qershorit në Singapor mes  Donald Trump dhe Kim Jong Un. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.