FA i jep ndihmën e parë 5-vjeçarit nga Peshkopia

270

TIRANË, 16 maj/ATSH/ – Forcat e Armatosura kanë treguar edhe një herë gatishmërinë e tyre jo vetëm ndaj përmbytjeve natyrore dhe problemeve madhore, por edhe ndaj personave që kanë nevojë për ta.

Forcat e Armatosura i kanë ardhur në ndihmë një vogëlushi 5-vjeçar nga qyteti i Peshkopisë, i cili kishte pësuar disa dëmtime në kokë gjatë momentit që ishte duke luajtur.

Lajmë u bë i ditur nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila ka postuar një status dhe disa foto nga momenti i transportimit të 5-vjeçarit drejt Spitalit të Traumës në kryeqytet.

“Heronjtë e ajrit i erdhën në ndihmë vogëlushit 5-vjeçar nga Peshkopia, i cili gjatë lojës pësoi dëmtime në kokë. Në pak minuta, fëmija dhe prindërit e tij u transportuan me helikopter drejt Spitalit të Traumës ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Shërim të shpejtë vogëlush! Mirënjohje për përkushtimin dhe profesionalizmin që pilotët dhe çdo efektiv i Forcave të Armatosura tregojnë gjatë misionit të tyre”, u shpreh Xhaçka.

Kjo nuk është hera e parë që FA kanë dhënë ndihmën e parë për qytetarët, pasi gjatë këtij viti evakuimet nga zonat e përmbytura dhe të bllokuara nga reshjet e dëborës kanë qenë të shumta. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.