Censi i popullsisë dhe banesave, bazik për vendimmarrjen e qeverisë dhe biznesit

221

TIRANË, 16 maj/ATSH/- Instituti i Statistikave prezantoi të mërkurën strategjinë e censit të popullsisë dhe banesave 2020.

Drejtorja e përgjithshme, Delina Ibrahimaj, tha se censi ngelet instrumenti më i rëndësishëm për mbledhjen e informacioneve të detajuara në nivel të njësive të vogla gjeografike dhe shoqërore.

Sipas saj, ky cens do të sjellë informacione tejet të rëndësishme për vendimmarrjen e qeverisë dhe biznesit.

“Roli kryesor i një censi është të prodhojë një numërim të saktë të popullsisë rezidente të një vendi. Ndërsa në terma të administrimit publik, ky numërim është i nevojshëm dhe përdoret në shumë vende për ndarjen e barabartë të fondeve publike apo dhe për organizimin e proceseve zgjedhore”, – tha Ibrahimaj.

Zv/ministri i Financave, Erjon Luçi, nënvizoi se censi do të sjellë të dhëna të rëndësishme sidomos në drejtim të politikave për nxitjen e punësimit.

I pranishëm në këtë takim, Mario Mariani, Drejtues i Zyrës së Bashkëpunimit pranë Delegacionit të BE në Tiranë, tha se për të lehtësuar dhe shpejtuar procesin e regjistrimit të popullsisë është shumë e rëndësishme të merren masa në përgatitjen e regjistrave dixhitale në sistemin e njësive vendore të qeverisjes. Sipas tij, ky është hapi i parë dhe i duhuri drejt arritjes së qëllimit.

Censi i popullsisë dhe banesave 2020 do të sjellë pas një dekade një informacion të përditësuar dhe të detajuar demografik, social dhe ekonomik për vendin.

Duke qenë se ky është procesi më i rëndësishëm demografik i një vendi, kërkon një përdorim të madh burimesh financiare dhe njerëzore.
Censi 2020 do të ketë një kosto rreth 16.2 milionë lekë.

/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.