Barnat e zemrës, FSDKSH: Asnjë nuk është hequr nga lista, rimbursimi ka alternativa

147

TIRANË, 16 maj /ATSH – I. Vata/ – Asnjë ilaç për zemrën nuk është hequr nga Lista e Barnave të Rimbursueshme, bëri të ditur sot në faqen zyrtare Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Në faqen zyrtare thuhet se “në përgjigje të ankesës së disa pacientëve për trajtimin me njërin nga barnat antikoagolant që përmban lista e rimbursimit, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor sqaron se: Bari Rivaroxaban 20 mg nuk është hequr nga lista e barnave të rimbursueshme 2018”.

Më tej, FSDKSH në sqarimin e saj shton se: “Udhëzimi për trajtimin e pacientëve që kanë nevojë për këtë antikoagolant është hartuar në bashkëpunim me Shërbimin e Kardiologjisë në QSUT, bazuar në rekomandimet e Shoqatës Europiane të Kardiologjisë”.

“FSDKSH, sqaron gjithashtu se Lista e Barnave të Rimbursueshme përmban disa alternativa hollues gjaku dhe të gjithë pacientët do të marrin mjekimin e duhur”, thuhet në njoftimin e FSDKSH. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.