Adriatik Llalla përballë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit

1035

TIRANË, 16 Maj/ATSH/ – Kolegji i Posaçëm i Apelit zhvilloi sot seancën e rivlerësimit për ish-Kryeprokurorin, Adriatik Llalla.

Ish-Kryeprokurori Llalla nuk ishte i pranishëm në seancë, pasi ndodhet në Gjermani, ndërsa u përfaqësua nga avokati Sokol Hazizaj.

Kryesues i trupit gjykues është Sokol Çomo, relator i çështjes, Luan Daci ndërsa anëtarë janë Albana Shtylla, Ardian Hajdari dhe Ina Rama.

Në përfundim, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi që të përsëritet njoftimi për ish kryeprokurorin Adriatik Llalla, pasi ky i fundit nuk ka dijeni për procesin, dhe plotësimin e prokurës për avokatin e tij Sokol Hazizaj, për vazhdimin e procesit.

Trupi gjykues vendosi ti kërkojë përfaqësuesit, avokatit Sokol Hazizaj plotësimin e prokurës të datës 10.4 2018 duke u shprehur në mënyrë të posaçme vullnetit të përfaqësuarit për t’i dhënë përfaqësuesit të tij tagrat.

Trupi gjykues vendos të përsëritet njoftimi i ankimit të subjektit të rivlerësimit si dhe të njoftohet për seancën subjekti i rivlerësimit, . Adriatik Llalla

Avokati kërkoi që dita e ardhshme e gjykimit të jetë jo më pak se 15 ditë, kohë që i duhet për të marrë prokurën për vijimin e procesit. Seanca u vendos për në 31 maj në orën 10.00.

Procesi i vettingut ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla u ndërpre nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pas dorëheqjes së ish-kryeprokurorit nga e drejta për t’u emëruar gjyqtar apeli dhe rrjedhimisht nga i gjithë sistemi i drejtësisë.

Ndërsa Komisioneri Publik i dorëzoi Kolegjit të Posaçëm Apelimit çështjen, ku kërkohet që ish-Prokurori Adriatik Llalla t’i nënshtrohet vettingut.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.