Haradinaj: Fëmijët, prioriteti më i rëndësishëm i axhendës qeverisëse

199

PRISHTINË, 15 Maj/ATSH/.- “Edukimi dhe mbrojtja e fëmijëve është investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen tonë, mirëqenien dhe zhvillimin ekonomik e social në përgjithësi”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Gjatë një takimi me drejtoreshën rajonale të UNICEF-it për Europën dhe Azinë Qendrore dhe Koordinatore Speciale për Refugjatët dhe Migrantët në Europë, Afshan Khan, Haradinaj theksoi se “fëmijët janë prioriteti më i rëndësishëm i axhendës qeverisëse, prandaj ne po punojmë për sigurimin e një mjedisi me edukim të mirëfilltë, mbrojtës dhe pa dhunë për të gjithë fëmijët e Kosovës, pa dallim”.

Haradinaj e njoju Khan me punën e qeverisë në realizimin e të drejtave të fëmijëve, planeve strategjike për shëndetin e nënave dhe fëmijëve dhe programin e vaksinimit.

Kreu i qeverisë falënderoi UNICEF-in, për përkrahjen e vazhdueshme në adresimin dhe realizimin e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, përmes strategjive për të drejtat e fëmijëve dhe angazhimin në programet edukuese.

Ai shprehu mbështetjen e qeverisë për një edukim sa më cilësor, përforcimin e programeve të kujdesit shëndetësor parësor dhe programeve për rininë.

Drejtoresha Khan, e njohu kryeministrin Haradinaj për punën e UNICEF-it në edukim dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së tyre.

Në këtë takim Khan shoqërohej edhe nga Brandão Có, shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, James Mugaju, zëvendës shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë dhe Agron Gashi, zyrtar i lartë i UNICEF-it./k.s/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.