SPORT – Trajneri i Italisë, Mançini: I lumtur që jam në Itali

TIRANË, 14 maj/ATSH/ – Pas zgjidhjes konsensuale të kontratës me ekipin e “Zenitit” në Rusi dhe ndeshjes së fundit të kampionatit të zhvilluar ditën e djeshme, Roberto Mançini ka mbërritur sot në mëngjes në qytetin e Romës.

Manchini, kandidat për drejtimin e kombëtares italiane, ka zbritur rreth orës 12:20 në aeroportin e Fiumiçinos me linjën direkt nga Shën Petërburgu.

“Jam i lumtur që jam kthyer në Itali. Nesër do të shohim se çfarë do të ndodhë”, – tha ish-trajneri i “Interit” dhe “Mançester Sitit”.
Kombëtarja italiane është pa trajner prej kohësh, pasi Xhampiero Ventura u shkarkua në nëntor për moskualifikim në Kupën e Botës, Rusi 2018./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.