Kosovë- Konferencë përkujtimore për Bahri Fazliun dhe Agron Rrahmanin

PRISHTINË, 14 Maj/ATSH/- “Çdo herë që kujtojmë veprimtarët dhe heronjtë e kombit si Bahriun apo Agronin, ne kemi në mendje të gjithë atë rezistencë të gjatë, të rëndësishme dhe plotë sakrifica që solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha sot Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Në fjalën e tij në konferencën përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të rënies së heronjve Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani, Thaçi u shpreh se “çlirimi i Kosovës nuk ndodhi rastësisht dhe as nuk filloi e tëra në vitin ‘98-99, pasi kjo luftë ka parahistorinë e saj, ku shëmbëlltyrë janë heronjtë Bahriu dhe Agroni”.

Krue i shtetit u shpreh se  “ishte një nder i veçantë që Bahri Fazliun e kam njohur që në fund të vitit ’89, vetëm pak ditë pas rënies heroike të vëllait të tij, Fahriut”.

Kryetari i Shoqatës së veteranëve të luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, theksoi se “populli shqiptar në robëri gjatë periudhave të ndryshme historike asnjëherë nuk e ndali rezistencën kundër pushtuesit, duke luftuar brez pas brezi për lirinë e tij deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës”.

Në këtë konferencë u shfaq edhe filmi dokumentar, një rrëfim për dy heronjtë, i realizuar nga Kushtrim Sheremeti./KosovaPress/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.