GJERMANI – Kapet një ton kokainë e fshehur në banane

MYNIH, 14 maj /ATSH-DPA/ – Policia gjermane dhe zyrtarë të doganave kanë kapur gati një ton kokainë dhe arrestuar 12 anëtarë të një rrjeti të trafikimit të drogave, njoftoi sot një zëdhënës nga Ministria e Punëve të Brendshme në shtetin e Bavarisë.

Droga kishte ardhur në Gjermani e fshehur në kuti bananesh.

“Zyrtarët e konfiskuan drogën në shtetin perëndimor të Nordrhein-Westfalen dhe në qytetin port të Hamburgut, në veri”, – deklaroi zëdhënësi.

Këto arrestime erdhën pas zbulimit të një rrjeti të shpërndarjes së drogës në supermarkete në shtetin jugor të Bavarisë në shtator të vitit të kaluar.

Në atë kohë u zbuluan pako me kokainë në 10 supermarkete, që arrinin një sasi prej 100 kilogramësh.

Hetuesit besojnë se ky rrjet ka qenë i përfshirë në trafikimin e rreth 1,8 tonë drogë, me një vlerë prej 400 milionë eurosh. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.