Eksporti i mallrave u rrit me 18.9 % në 3-mujorin e parë

TIRANË, 14 maj /ATSH/ Eksporti i mallrave në vlerë u zgjerua me rreth 18.9%

në nivel vjetor gjatë tremujorit të parë të vitit 2018, një normë kjo e përshpejtuar krahasuar me tremujorin e mëparshëm që u rrit me 8.8%.

Banka e Shqipërisë bën të ditur në raportin e publikuar së fundi “Politika monetare 3-mujori I, 2018” se ndikimet kryesore kanë ardhur nga kategoritë “Tekstile dhe këpucë” si dhe “Materiale ndërtimi dhe metale”.
Sipas BSH-së, kontribute pozitive, por më të ulëta, kanë ardhur nga kategoritë “Ushqime, pije, duhan”. Në ndryshim nga gjysma e dytë e vitit 2017, është vënë re një kontribut pozitiv edhe nga kategoria “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, e ndikuar nga rritja e eksporteve të lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike.
Ekonomia shqiptare, citon Banka Qendrore, po ndjek trendin e rritjes pozitive dhe shfrytëzimi i plotë i kapaciteteve prodhuese do të krijojnë kushte për rritjen e qëndrueshme të treguesve ekonomikë.
Kryesojnë rritjen eksportet ushqimore drejt Suedisë dhe Estonisë
Sipas orientimit gjeografik, vendet e Bashkimit Europian dhe veçanërisht Italia,
mbeten partnerët kryesorë tregtarë si në terma të eksporteve, ashtu edhe në
terma të importeve.
Por Banka e Shqipërisë vëren se, rritja e eksporteve të ushqimeve kryesisht të përpunuara ka sjellë rritjen e peshës të destinacioneve si Suedia dhe Estonia, fenomen i vënë re edhe gjatë gjysmës së dytë të vitit 2017.
Ndërkohë që gjatë muajve shkurt dhe mars të vitit 2018 është vënë re një rritje e peshës të vendeve si Spanja, Zvicra, Serbia dhe Sllovenia për shkak të zgjerimit të eksporteve të lëndës djegëse dhe energjisë elektrike drejt këtyre destinacioneve. e.xh/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.