Deklarimi i TVSH-së, informohen 86% e biznesit të vogël në Fier

174

TIRANË, 14 maj/ATSH/- Në Fier janë 876 biznese të vogla, që janë përfshirë në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH-së) dhe rreth 86% e tyre janë informuar direkt në mjediset e ushtrimit të aktivitetit nga punonjësit e administratës tatimore për mënyrën e plotësimit të deklaratës.

Drejtori i DRT Fier, Oltion Caku inspektoi sot Këndin e Asistencës ku i garantoi subjektet, se do të asistohen për të përmbushur me korrektësi të gjitha procedurat e nevojshme, deri në dorëzimin e deklaratës së parë të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, e cila do të jetë shumë e lehtë në plotësim, duke qenë se po ndërmerren hapa për thjeshtimin e saj.

Pranë këtij këndi janë informuar mbi 640 subjekte për procedurën.

Afati i parë i dorëzimit të kësaj deklarate është data 10 korrik. Caku siguroi tatimpaguesit se administrata tatimore nuk do të shoqërojë në asnjë moment me penalitete gabimet në deklaratë.

Drejtori i DRT Fier i ftoi gjithashtu subjektet që të bëhen pjesë e trajnimeve të dedikuara për të marrë të gjithë informacionin e nevojshëm, si dhe për të qartësuar çdo problem që mund t’u lindë në vazhdimësi.

/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.