Arrihet marrëveshja me farmacistët, Fondi: Prioriteti ynë i vetëm, siguria e qytetarëve

340

– Ahmeti: Jo kërkesave që prekin parimet e pacënueshme në interes  të sigurisë së pacientëve-

TIRANË, 14 maj/ATSH/ – Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor bëri të ditur se arriti një marrëvëshje me Urdhrin e Farmacistëve për disa çështje kontraktuale, të cilat ishin kërkesa ndër vite të subjekteve farmaceutike.

Por, FSDKSH nuk ka dhënë dakordësi për ato çështje, të cilat cënojnë parimet mbi të cilat bazohet Fondi: Siguria e barnave për pacientët.

Drejtori i FSDKSH, Eduard Ahmeti në një deklaratë për shtyp theksoi se “pas bisedimeve disa ditore që kemi kryer me përfaqësuesit e Urdhrit të Farmacistëve, ne kemi mbërritur në një të mesme të përbashkët. Ka patur dakordësi dhe mirëkuptim, si dhe lëshime aty ku ishte e nevojshme dhe ku nuk prekeshin ato që ne i konsiderojmë parime të pacënueshme, në interes të pacientëve që përfitojnë nga rimbursimi i barnave”.

“E rëndësishme është që palët të sqarohen dhe të kuptojnë qartë të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga kjo kontratë, që janë të drejta dhe detyrime reciproke të sanksionuara prej vitesh në këto marrëdhenie, që për hirë të vërtetës nuk e kanë penguar procesin kontraktual, përkundrazi e kanë disiplinuar”, – nënvizoi Ahmeti.

Ai tha se “FSDKSH do të vazhdojë përpara me të vetmen ‘busull’ që ne kemi, sigurimin e barnave të sigurta, me kosto/efektivitet dhe në kohë për qytetarët”.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me pikat e negociuara, Ahmeti bëri të ditur se “ne kemi dakortësuar disa kërkesa të farmacistëve, të cilët kanë qënë në fakt të bëra ndër vite, një pjesë të të cilave i kemi marrë parasysh, por Fondi është i vendosur për pacënueshmërinë e parimeve ku ai bazohet në përmbushjen e misionit të tij”.

Dera e Fondit, shtoi ai, do të jetë e hapur për çdo diskutim që jo vetëm farmacistët mund të kenë në të ardhmen.

“E rëndësishme është që të garantojmë pacientët, për rimbursimin e barnave të listës”, – përfundoi Ahmeti./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.