Të burgosurit politikë: Ligji për pensionin e minierës, një premtim i mbajtur i qeverisë

TIRANË, 13 maj /ATSH-I.Vata/ – Parlamenti votoi ligjin më të pritur nga të burgosurit politikë që kanë punuar me punë të detyruar në minierë në kohë të regjimit komunist gjatë qëndrimit në burg, shprehen të burgosurit politikë për ATSH-në, pas miratimit në Kuvend të ligjit për pensionet e të burgosurve politikë.

Ligji parashikon në bazë të përllogaritjes se dita e burgut është e dyfishuar, që do të thotë se periudha njihet sa dyfishi i periudhës së qëndrimit në këto burgje

 

 

 

 

 

 

Agron Talo nga Tirana, ish-i burgosur politik që ka vuajtur dënimin në burgun e Spaçit në kohën e diktaturës, tha për ATSH se është një ligj i pritur prej 27 vitesh nga të burgosurit politikë, sepse kanë punuar me punë të detyruar në minierat e Spaçit, Qafë-Barit, Bulqizës, Batrës së Martaneshit për vite me radhë dhe nuk iu njihej e drejta e pensionit të minierës.

“Nuk jemi të njësuar ende me ligjin dhe nuk dimë se si do veprohet, por kjo është një ndihmë e madhe që u bëhet të burgosurve politikë që kanë vuajtur në burgjet e diktaturës, sepse të burgosurit që kanë mbushur moshën e pensionit munden të dalin në pension miniere me kohë të plotë dhe ata që s’e kanë mbushur moshën, do presin pa kokëçarje për kohën e daljes në pension”, – tha Talo.

I burgosuri politik nga Kavaja, Agim Kollçaku, i cili ka vuajtur 10 vite në burgun e Spaçit, në një prononcim për ATSH shprehet se është një ndihmë e madhe, fundja nuk morëm dëmshpërblim për punën e papaguar, por morëm dyfish vitet e punës, që na mundëson të kemi një pension miniere”.

I burgosuri politik nga Shkodra, Zenel Drangu, njëherazi dhe kryetari i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të qarkut Shkodër, deklaroi për ATSH se është nga ligjet më të mira që ka bërë qeveria shqiptare që pas rënies së diktaturës.

“Atë që s’e bënë demokratët, i ngeli për ta bërë qeveria Rama, jo vetëm këtë ligj, por dhe dëmshpërblimin e të burgosurve politikë për vitet e burgut në kohë të diktaturës”, – theksoi Drangu.

Në vijim, ai shtoi se ajo që na habiti, është fakti se si deputetët demokratët ikën nga Parlamenti pa votuar ligjin, kjo është marre për ta.

“Mirë që nuk bënë asgjë për të përndjekurit, por braktisja e Parlamentit dje na ka habitur dhe shokuar njëherazi. Ata, ia lanë peshën qeverisë Rama për të zgjidh hallet tona dhe është një gjë e duhur që iu bë të përndjekurve politikë”, – tha Drangu.

“I ra, barra Kryeministri Edi Rama me na mbështet, me na dhënë paratë e dëmshpërblimit dhe më e madhja e më e pritura, pensionet e minierës për të burgosurit politikë që kanë punuar me punë të detyruar në kohë të diktaturës komuniste. Një ndër ligjet me të mira. Atë që s’e bënë demokratët për 27 vite, e bëri qeveria ‘Edi Rama’ dhe qeveria e mazhorancës. Ne mbetemi vetëm ta përgëzojmë“, – theksoi Drangu për ATSH.

Projektligji që u kthye në ligj nga Parlamenti shqiptar për pensionet e të burgosurve politikë që kanë punuar me punë të detyruar në kohë të komunizmit

Një shtesë në ligjin Nr.7514, datë 30.9.1991, “Për pafajsinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë.

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë Vendosi: Neni 1 Pas paragrafit të fundit të shkronjës “a”, të nenit 5, të ligjit nr.7514, datë 30.9.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, të ndryshuar, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje: “Koha e vuajtjes së dënimit të ish-të dënuarve politikë në burgjet ku punohej në minierë në nëntokë, për efekt pensioni, të njihet si punë e kryer në minierë në nëntokë. Periudha njihet sa dyfishi i periudhës së qëndrimit në këto burgje.

Me 75 vota pro asnjë kundër dhe asnjë abstenim u miratua edhe projektligji “Për një shtesë në ligjin nr.7514, datë 30.9.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, të ndryshuar.

Paga llogaritet sa paga e punës në minierë. Vërtetimi për kohën e vuajtjes së dënimit në burgjet ku punohej në minierë në nëntokë lëshohet nga Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.