“Shpella e Fshehur”, një destinacion i ri turistik pranë kryeqytetit

469

TIRANË, 13 maj /ATSH/ – A e dinit se Tirana ka shpella të tjera, përveç shpellës së Pëllumbasit? Njëra nga këto është “Shpella e Mbytjes”, ose “Shpella e Fshehur”.

“Shpella e Mbytjes” ndodhet pranë fshatit Krrabë të Tiranës. Rruga për në shpellë mund të bëhet me makinë, deri pranë një reparti ushtarak që ndodhet pranë saj. Nga kjo pikë deri te shpella, është një shteg i cili mund të përshkohet për 15-20 minuta. Një guidë vendase do të ishte e nevojshme, sepse është shumë e vështirë të gjendet hyrja e saj, për shkak se është pak e fshehur nga shikimi dhe nuk ka shenja që markojnë shtegun për momentin.

Shpella ka një thellësi rreth 160 metra dhe lartësi që shkon në vende të caktuara deri në 15 metra. E veçanta e saj është, se ajo ka një diversitet stalaktitesh dhe stalagmitesh që ndryshojnë si nga forma, edhe nga ngjyra e bardhë kristali me të kuqe e kafe të miksuara në një tabllo mahnitëse.

Hyrja e saj është shumë e vogël, sepse është zënë nga gurët që kanë rënë nga mali (ndoshta kjo është arsyeja e emrit të saj), por brenda, menjëherë pas hyrjes, del lartësia reale e shpellës. Ajo përfundon me një kupolë të lartë nga e cila varen dhjetëra lloje stalaktitesh, të cilët i japin asaj pamjen e një tempulli. Deri më sot ajo ka qenë shumë pak e vizituar nga dashamirësit e natyrës dhe shumë pak njerëz kanë arritur të futen brenda, për shkak të kushteve të vështira dhe që kërkojnë një përgatitje të lartë fizike dhe psikologjike. /r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.