Rritja e të ardhurave, zgjeron konsumin dhe shpenzimet private

295

TIRANË, 13 maj /ATSH/- Rritja e të ardhurave nga puna, zgjerimi i remitancave si dhe mbështetja e vazhduar me kredi bankare ka rritur konsumin privat dhe shpenzimet për mallra konsumi, mallra afatgjatë dhe shërbime.

Të dhënat e publikuara së fundi nga Banka e Shqipërisë bëjnë të ditur se, konsumi privat vijoi prirjen rritëse edhe gjatë tremujorit të parë të këtij vitit.

Rritja reale prej 3.1% e shpenzimeve konsumatore në tremujorin e fundit të vitit mbetet mbi mesataren e rritjes në gjashtëmujorin e parë dhe mesataren e vitit 2016.

Ekonomia në rritje ka nxitur konsumin dhe tregtinë me pakicë.

Banka e Shqipërisë shpjegon se, në analizën e faktorëve afatgjatë, që mbështesin rritjen e shpenzimeve konsumatore janë rritja e të ardhurave nga tatimi mbi vlerën e shtuar, rritja e importit të mallrave ushqimore dhe rritja e importit të auto-veturave.

Gjithashtu, kredia konsumatore ka vijuar të rritet në këtë tremujor, duke mbështetur konsumin privat, njofton BSH-ja.

Sipas BSH-së, besimi konsumator në sektorin e tregtisë, qëndron mbi mesataren afatgjatë në tremujorin e parë 2018 e lidhur kjo vijueshmërinë e trendit pozitiv të rritjes konsumatore. e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.