Llogaridhënia publike, Gjonaj: Do zgjidhim problemin e titujve të pronësisë

TIRANË, 14 maj /ATSH/- Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj zhvilloi sot me banorët e njësive administrative Katund i Ri dhe Sukth në qarkun e Durrësit, një bashkëbisedim shumë të frytshëm në kuadër të turit të llogaridhënies “Puna për Shqipërinë që duam”.

Në një postim në “Facebook”, Gjonaj shkruan: “Dhamë llogari për çfarë kemi bërë në drejtim të urbanizimit të këtyre zonave me shumë problematika të trashëguara për 25 vjet rresht, duke investuar në infrastrukturën rrugore, në shkollat dhe qendrat shëndetësore. Së bashku me deputetët e zonës Milva Ikonomi dhe Rolant Xhelilaj u dhamë lajmin e mirë të miratimit të projektit dhe financimit për rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit për fshatrat Jubë, Katund i Ri, Qerret, Erzen, Bisht-Kamëz dhe Rinia”.

Reforma në Drejtësi, Vetting-u i gjyqtarëve dhe i prokurorëve ishte gjithashtu pjesë e informimit të qytetarëve, reformë e cila na dha rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave me BE-në.

“Diskutim i rëndësishëm ishte edhe ai për çështjet e pronësisë, që në këto dy njësi administrative janë nga problemet më të mprehta. I sigurova banorët se çështja e pronave është çështje prioritare që me reformën që kemi ndërmarrë do t’i gjejmë një zgjidhje ligjore problemeve të titujve të pronësisë, pasi është një problem i mbartur, kompleks, për gjatë 25 viteve”, – shkruan Gjonaj.

Sipas ministres Gjonaj, objektivi i qeverisë, deri në mesin e vitit 2019 është regjistrimi i titujve të pronësisë, që kanë të bëjnë pikërisht me tokën bujqësore si dhe trajtimi në mënyrë të integruar të titujve të pronësisë nëpërmjet agjencisë së re.

“I ftuam banorët e Katundit të Ri dhe Sukthit të bëhen pjesë e bashkëqeverisjes duke ju drejtuar platformës ‘shqiperiaqeduam.al’ dhe i garantuam se takimet me ta do të vijojnë edhe në të ardhmen, si pjesë e devizës sonë për të bashkëqeverisur me njerëzit e zakonshëm dhe për të qenë pranë problemeve e shqetësimeve të tyre”, – citon më tej ministrja.

Gjonaj garantoi se ankesat e qytetarëve mundësojnë, jo vetëm zgjidhjen e problemeve të tyre, por njëkohësisht dhe largimin nga administrata të atyre punonjësve, të cilët abuzojnë me ligjin, me detyrën dhe që kërkojnë ryshfet në këmbim të shërbimit që duhet t’i ofrohet qytetarit. e.xh//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.