Hapja e negociatave, Shqipëria mundësi aksesi në fonde të mëdha investimesh

TIRANË, 13 maj/ATSH-Gjergji Mima/ – Me hapjen e negociatave me Bashkimin Europian Shqipëria do të ketë mundësi aksesi për ato që quhen fonde strukturore dhe që janë fonde të mëdha investimesh.

Zv/ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Etjen Xhafaj u shpreh në një intervistë për ATSH-në se, “hapja e negociatave është mbi të gjitha hapja e një procesi tjetër studimi dhe përgatitjeje për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Gjatë këtij procesi do të rishikohen një sërë ligjesh për të ardhur në përputhje me atë që është acquis communautaire dhe gjithashtu për të pasur mundësinë që ekonomia e vendit dhe sektorët e ndryshëm të zhvillohen në të njëjtin nivel për të arritur pikën, në të cilën Shqipëria do të bëhet me të drejta të plota anëtare e Bashkimit Europian.

Xhafaj shton se, “në vijim të hapjes së negociatave do të ketë gjithashtu mundësinë që të përfshihen projekte edhe me Shqipërinë brenda saj, si projekte të mëdha zhvillimore europiane”.

Xhafaj jep shembullin e projekteve të korridoreve europiane siç është “Korridori Blu”, “… i cili është një nga projektet që është propozuar nga qeveria shqiptare që nga viti 2014 në procesin e Berlinit dhe për të cilin presim që të ketë zhvillime qoftë në Samitin e Sofjes, javën që vjen, qoftë edhe nga Samiti i Londrës që zhvillohet në 10 korrik”.

“Pra ku të ketë edhe një paketë financiare për të zhvilluar zhvillimin e këtyre projekteve të mëdha infrastrukturore, të cilët janë të pamundur të zhvillohen apo të kryhen nga financat publike të buxheteve të vendeve respektive. Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor”, – thekson Xhafaj. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.