Vendimi për Tahirin, reagojnë Basha dhe Kryemadhi

309

TIRANË, 12 maj/ATSH/ – Pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda e cila vendosi masën “arrest shtëpie” për ish ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, kanë ardhur edhe reagime nga partitë politike opozitare.
Në një reagim në rrjetin social facebook, kreu i opozitës Lulzim Basha e ka cilësuar vendimin e gjykatës për ish-ministrit Tahiri si një vendim të politikës dhe jo të drejtësisë.
“Arresti i shtëpisë i Saimir Tahirit nuk është vendim i drejtësisë, por vendim politik i Edi Ramës. Ky është dorëzimi i kontrolluar që paralajmëruam vetëm 3 ditë më parë, pjesë e paktit mafioz Rama-Tahiri.
Saimir Tahiri duhet të ishte sot në qeli dhe jo në arrest shtëpie. Qeveri partnere kanë sjellë javët e fundit të tjera prova që rikonfirmojnë se Saimir Tahiri ishte pjesë aktive e organizatës kriminale të Habilajve për trafikun e drogës.
Arresti i shtëpisë për Saimir Tahirin është mashtrimi i rradhës i Edi Ramës ndaj shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Kjo është po kështu prova se lëvizjet e paligjshme në prokurori kanë për qëllim mbylljen e dosjes Tahiri.
Tahiri nuk burgoset dhe as nuk dënohet sepse e mbron dhe e ruan Rama. Sepse Tahiri dhe Rama janë një”, përfundoi Lulzim Basha.
Reagime erdhën edhe nga kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e cila në një status në FB, thotë se drejtësia vdiq, ndërsa vendin ia ka lënë përballjes së bandave dhe grupimeve në PS.
E kisha thënë!
Rilindasit janë bërë shumë të parashikueshëm!
Gjithë ai nxitim; hiq, shkarko, shantazho, këtu do të dilte, për më tepër në ditën kur vëmendja e publikut është te ministri aktual dhe përgjegjësitë e tij, del në skenë ish ministri. Një figurë e djegur, që përdoret dhe shantazhon sipas rastit ish kolegët!
Tashmë drejtësia vdiq plotësisht për t’ia lënë vendin përballjes së bandave dhe grupimeve në PS.
Tashme padrejtësia është përballë popullit , sepse drejtësia ka mbetur peng në duart e Edi Ramës dhe bandës së tij,” përfundoi Kryemadhi./e.caushi

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.