Mitrovicë- Universiteti “Isa Boletini” pranohet në Rrjetin Akademik për Studime Bashkëkohore

PRISHTINË, 11 Maj/ATSH/.- Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) është pranuar në Rrjetin Akademik për Studime Bashkëkohore (The Academic Association for Contemporary European Studies- UACES).

Vendimi për anëtarësim të UMIB-it në këtë rrjet që si qëllim kryesor ka përparimin  e arsimit për të mirën publike nëpërmjet promovimit të mësimdhënies dhe kërkimit në studimet bashkëkohore europiane, është marrë nga Këshilli i UACES.

Ylber Januzaj, këshilltar i rektorit të Universitetit, tha se ky është një lajm shumë i mirë për studentët dhe mësuesit e këtij universiteti.

“Universiteti “Isa Boletini” është universiteti i parë në rajon që është anëtarësuar në këtë rrjet ku bëjnë pjesë më shumë se 600 universitete nga e gjithë bota”, tha Januzaj.

Sipas tij, përfitimet e anëtarësimit në këtë rrjet që është themeluar në vitin 1967 në Angli, janë të shumta, duke filluar nga pjesëmarrja e stafit akademik të Universitetit “Isa Boletini”  në trajnime dhe ngjarje të organizuara nga UACES.

“Gjithashtu Universiteti ynë do të përfitojë grante për organizimin e konferencave, për hulumtim, më pas financime për studentë, të cilët udhëtojnë në konferenca të mbajtura nga UACES,  njoftime mbi mundësitë e punësimit në të gjithë botën etj”, tha Januzaj.

Januzaj theksoi se anëtarësimi në këtë rrjet mundëson promovimin e Universitetit “Isa Boletini”, më pas bursa për studentë, anëtarësim të studentëve dhe stafit në revista shkencore të publikuara nga UACES, si dhe profil dhe hapësirë të veçantë për Universitetin “Isa Boletini” ne uebfaqen e UACES./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.