Mbi 10 300 biznese të vogla informohen në terren për skemën e TVSH-së

TIRANË, 11 Maj/ATSH/- Në pak më shumë se dy muaj, punonjësit e Shërbimit të Tatimpaguesve kanë realizuar takime ‘ballë për ballë” në mjediset e ushtrimit të aktivitetit me 10 357 subjekte të biznesit të vogël.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi se për të njëjtën periudhë kohore janë zhvilluar sesione trajnimesh për 2 983 subjekte të kësaj kategorie. Në këto sesione biznesit të vogël i është dhënë informacioni i duhur lidhur me plotësimin e librave të blerjes dhe shitjes, si dhe të deklaratës së TVSH-së.

Ndërkohë, Administrata Tatimore pranë Këndit të Asistencës ka njohur në mënyrë të detajuar mbi detyrimet ligjore dhe afatet 5 105 tatimpagues të vegjël.

“Në çdo rast, punonjësit e saj janë të gatshëm të ofrojnë të gjithë ndihmën, si në mjediset e administratës, ashtu edhe në ato të biznesit për të informuar në mënyrë të saktë, të drejtë dhe të qartë mbi detyrimet ligjore”, thuhet në deklaratën për shtyp të DPT-së.

Fushata e informimit për tatimpaguesit e vegjël do të vazhdojë deri në plotësimin e deklaratës së parë.

DPT inkurajon tatimpaguesit që të bëhen pjesë aktive në trajnimet e dedikuara që do të zhvillohen deri në fund të muajit qershor./a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.