ITALI – Juncker dhe Tajani të shqetësuar për rritjen e populizmit

150

FIRENCE, 11 maj /ATSH-AFP/ – Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker dhe ai i Parlamentit Europian, Antonio Tajani shprehën shqetësimin e tyre përballë rritjes së populizmit, i ushqyer nga kriza migratore.

“Të jesh një italian i mirë, nënkupton të jesh një qytetar i mirë europian. Kjo duhet përsëritur me zë të lartë, veçanërisht në këto momente”, deklaroi Tajani para një forumi europian, të organizuar në kryeqytetin e Toskanës.

“Të dalësh nga monedha unike do ishte një gabim”, theksoi ai, ndërkohë që negociatat mes forcave politike populiste dhe nacionaliste kanë arritur në pikën kulminante për të formuar qeverinë e parë antisistem në Itali.

Juncker shprehu shqetësimin e tij për pakënaqësitë e krijuara nga kriza migratore, që mendohet se ka kaluar.

“Kjo u jep populistëve dhe nacionalistëve materialin e nevojshëm, për të cilin kishin nevojë për ta çbërë solidaritetin në Europë”, deklaroi presidenti i Komisionit, i cili u shpreh i tronditur nga shkëputjet dhe plasaritjet e solidaritetit të shfaqur gjatë krizës migratore mes shteteve anëtare.

“Në momentin e krizës ekonomike, në veri të Europës, që mendohet më patriarkale se jugu u rishfaq shprehja që unë e urrej “vendet e Klubit Med”, theksoi ai duke iu referuar për këtë cilësim vendeve të jugut të Europës, konsideruar shpesh si më laksiste përsa i përket çështjeve buxhetore.

Për dy zyrtarët europianë, kjo arrogancë e Veriut ndaj Jugut ka inkurajuar nacionalizmat./
/ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.