FOKUS – “USS Harry S. Truman” qyteti lundrues në shërbim të misioneve ushtarake në Siri

UASHINGTON, 11 maj /ATSH-AFP/ – Diku në lindje të Mesdheut, “USS Harry S. Truman”, një prej 11 aeroplanmbajtëseve gjigante të marinës amerikane, tregon muskujt e saj, me destinacion kryesor Shtetin Islamik në Siri.

Ky qytet lundrues me motor bërthamor, që peshon më shumë se 95 000 tonë dhe me 70 avionë luftarakë “Super hornet f-18”, ka ardhur në prill nga baza Norfolk në Virxhinia, në krye të një grupi sulmues të përbërë nga katër destrojerë dhe një kryqëzor.

Marina amerikane ka njoftuar se ajo kishte filluar më 3 maj misione në mbështetje të operacionit ndërkombëtar “Inherent Resolve” për të luftuar kundër Shtetit Islamik në Siri, por pa dhënë më shumë detaje.

E gjatë 333 metra, gati sa qiellgërvishtësja “Empire State Building”, ura e fluturimeve ngjason me një ylber.

Marinarët, të veshur me bluza dhe xhupa pa mëngë, secili ka ngjyrën e tij në këtë mekanizëm që duhet të jetë perfekt përballë rreziqeve.

Ata me ngjyrë lejla furnizojnë avionët, ata me të kuqe ngarkojnë bombat dhe municionet, ata me të gjelbër janë të ngarkuar me mirëmbajtjen, ndrërsa ata me të verdhë mbikëqyrin lëshimin dhe rekuperimin e pajisjeve.

Ata mund të ngrenë në ajër avionë çdo 40 sekonda ditën dhe çdo 60 sekonda natën.

Nën pistën e avionëve ndodhet një ”qytet i vogël” me më shumë se 5 500 persona, ku shumë prej tyre po zhvillojnë misionin  e parë.

Pas ditësht të tëra pune, që mund të arrijnë edhe në 12 orë, marinarët shlodhen duke parë filma, duke luajtur videolojëra ose duke vajtur në palestër.

Ekuipazhi ka gjithashtu të drejtën që të zhvillojë kurse fitnes, mbrëmje karaoke, të luajnë me “Lego” dhe të shohin “Truman Show”, një spektakël i vogël televiziv i përjavshëm i bërë në shtëpi.

Në fund është ushqimi, çdo ditë 17 000 vakte dalin nga shtatë kuzhina. Rreth 700 kilogramë pulë, 600 litra qumësht, 30 pako me drithëra dhe 160 kilogramë sallatë. /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.