Fluturimi i parë Helsinki-Tiranë me 130 turistë skandinavë

TIRANË, 11 maj /ATSH/- Kompania ajrore Daneze Jet Time me 130 turistë në bord nga Skandinavia, mbërriti sot për herë të parë në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas.
Tirana International Airport (TIA) i uron sot mirëseardhjen shoqërisë ajrore Daneze Jet Time me fluturimin e saj të parë në Tiranë.
Me këtë rast, TIA mbajti një ceremoni për të shënuar fillimin e operimit të destinacionit të ri nga kryeqyteti i Finlandës Helsinki, në Tiranë.
“Ky është grupi i parë i turistëve nga Skandinavia dhe nesër presim të tjerë nga Suedia dhe Norvegjia. Turistët nga vendet e Skandinavisë janë shumë të interesuar për të parë Shqipërinë dhe ne iu urojmë atyre një përvojë të bukur këtu. Nga ana tjetër, TIA i mbështet fluturimet në këto destinacione financiarisht me qëllim për të zhvilluar turizmin dhe për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë në Europë dhe përtej saj,” – u shpreh dr. Rolf Castro-Vasquez, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i TIA-s.
Jet Time është një shoqëri ajrore Daneze e themeluar në vitin 2006 dhe operon kryesisht si një kompani, e cila ofron shërbime për biznese duke siguruar shërbime transporti ajror për avionë charter dhe shoqëri ajrore. Që nga krijimi i saj, Jet Time është zhvilluar duke u bërë shoqëria ajrore më e madhe daneze.
Tirana International Airport njofton se të tjera lajme të mira priten për sezonin veror. e.xh/ /a.g/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.