ANKARA – Turqia e gatshme për të hapur një faqe të re me Armeninë

ANKARA, 11 maj /ATSH-AFP/ – Turqia u shpreh e gatshme për të hapur një faqe të re me Armeninë pas deklaratave të kryeministrit të ri armen, Nikol Pachinian, lidhur me mundësinë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

”Nëse Armenia heq dorë nga politika armiqësore që po ndjek prej disa vitesh ndaj Turqisë, nëse ndryshon qasjen negative në lidhje me kufijtë dhe integritetin territorial të Turqisë dhe nëse dëshiron të hapë një faqe të re, ne do t’i përgjigjemi duke shqyrtuar detajet”, deklaroi kryeministri turk, Binali Yildirim.

”Ne dëshirojmë të kemi më shumë miq dhe më pak armiq”, shtoi ai.

Nikol Pachinian u zgjodh ditën e martë kryeministër i Armenisë, pasi drejtoi për gati tre javë rresht një lëvizje protestash masive.

Në deklaratat e bëra një ditë pas marrjes së detyrës, ai pohoi se Armenia ishte e gatshme për të nisur marrëdhëniet me Turqinë pa kushte paraprake.

Armenia njoftoi në fillim të marsit se refuzonte të njihte marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve me Turqinë, duke akuzuar Ankaranë se nuk mundet të heqë dorë nga stereotipet e saj, ndërsa marrëdhëniet e tyre mbeten të trazuara nga kujtimi i masakrës ndaj armenëve gjatë Luftës së Parë Botërore./
/v.b/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.