GJENEVË, 10 maj /ATSH-AFP/ – David Goodall, shkencëtari 104-vjeçar australian, i mbërritur në Zvicër për një vdekje të asistuar, që vendi i tij e refuzonte, vdiq sot në Bale (veri), pas injektimit të një qetësuesi, njoftoi fondacioni ”Exit International”.
“Në orën 12:30 (10:30 GMT), profesori David Goodall, 104 vjeç, vdiq në Bale, në Zvicër, pas injektimit të Nembutalit (qetësues)”, njoftoi në Twitter Philip Nitschke, themeluesi i “Exit International”, që e ndihmoi për organizimin e udhëtimit të fundit.
David Goodall nuk vuante nga asnjë sëmundje në fazën përfundimtare, por deklaronte se cilësia e jetës ishte përkeqësuar dhe se kishte ardhur koha të largohej.
Pas një përpjekjeje të dështuar për vdekje në fillim të vitit, Goodall u kishte kërkuar autoriteteve australiane të përfitonte nga një vdekje e asistuar.
Por, pas refuzimit të tyre, ai u detyrua të udhëtonte deri në Zvicër, ku disa fondacione ofronin këtë shërbim./ /ec/ a.jor.