Xhafaj ka ndryshuar Kodin e Procedurës Penale për të shpëtuar vëllain

323

TIRANË, 10 maj /ATSH- I. Vata/ – Fatmir Xhafaj ka falsifikuar Kodin e Procedurës Penale për të lënë të lirë vëllain e tij Agron Xhafaj, i dënuar nga drejtësia italiane me 7 vjet e 2 muaj burg, deklaroi në një konferencë për mediat, deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj.

Në konferencë për mediat, Alibeaj tha se “fakte të reja në lidhje me skandalin e përfshirjes së Ministrit te Brendshëm, Fatmir Xhafaj në mbrojtje të vëllait të tij Agron Xhafaj, i dënuar në Itali me 7 vjet e 2 muaj burg.

“Fatmir Xhafaj ka falsifikuar Kodin e Procedurës Penale për të lënë të lirë vëllain e tij, furnizuesin kryesor të drogërave të forta nga Europa në SHBA”, – tha ai.

Më tej, Alibeaj pohon se “Fatmir Xhafaj mohoi provat e implikimit të vëllait tij, Agron Xhafa me trafikun e drogës, por pas vendimit të Gjykatës italiane me dënimin me 7 vite dhe dy muaj, Xhafaj ndonëse pranoi, la pa përgjigje shtatë pyetje që i bëmë: Pse nuk ka përmbushur detyrimin ligjor për identifikimin e tij? Pse nuk ka plotësuar procedurat për ekstradimin? Përgjigjet e këtyre pyetje tregon se si po e përdor postin e ministrit të Brendshëm për të mbrojtur vëllain e tij”.

“Ne do të tregojmë me fakte se ministri Xhafaj ka ndihmuar të vëllain duke duke prekur ligjin e Kodit të Procedurës Penale. Si kryetari i Reformës në Drejtësi, Xhafaj propozoi dhe miratoi një ligj, pikërisht në nenin 491 të Kodit të Procedurës Penale është shtuar pika ‘f’, ku parashikon se nuk mund të bëhet ekstradimi, kur personi është i dënuar në mungesë?”, – tha Alibeaj. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.