Shkrimtari Stefan Çapaliku dhe romanet e tij, mysafirë në Durrës

DURRËS, 10 Maj/ATSH/.- Klubi i Artit dhe Kulturës Sigal në Durrës mbrëmjen e kaluar mikpriti shkrimtarin Stefan Çapaliku, i cili prezantoi dy vëllimet e parë të ciklit romanesk “Secili çmendet sipas mënyrës së vet”.

I konceptuar në formën e një bashkëbisedimi me gazetarin Gëzim Kabashi, takimi tërhoqi interesimin e dhjetra artdashësve dhe intelektualëve nga qyteti bregdetar.

Çapaliku, i njohur më së shumti si dramaturg dhe regjisor, ka hedhur në këtë vepër kujtimet dhe përshtypjet e fëmijërisë dhe rinisë nga qyteti i lindjes, Shkodra.

I ndihmuar edhe nga fotot e viteve 1970-1980, kur zhvillohen ngjarjet e librit, si dhe nga pyetjet ngacmuese të gazetarit Kabashi, shkrimtari, i është rikthyer edhe disa prej personazheve që ai vizaton në roman, rreth 130 të tillë.

“Janë njerëz me histori të jashtëzakonshme, të cilat nuk mund të mos i shkruaja”, tha Çapaliku duke iu referuar bashkëqytetarëve të tij.

Për më shumë se një orë, dy bashkëbiseduesit mbajtën të ndezur interesimin dhe vëmendjen e dëgjuesve, të cilët në fund e duartrokitën gjatë autorin Stefan Çapaliku./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.