PIKTURË – Vdes Per Kirkeby, figurë madhore e artit të pasluftës

KOPENHAGË, 10 maj /ATSH-AFP/ – Piktori danez, Per Kirkeby, figurë madhore e pikturës europiane të pasluftës, vdiq sot në moshën 79-vjeçare në qytetin e tij të lindjes në Kopenhagë, njoftoi sot galeria e tij.

“Ai njihej si skulptor, regjisor filmash dhe piktor i përqëndruar te peizazhet, drita dhe ngjyrat”, thekson në një komunikatë galeria “Michael Werner” në Londër.

“Gjatë pesë dekadave të fundit të karrierës së tij, ai zhvilloi një paletë dhe një fjalor imazhesh personale, të nxjerra kryesisht nga vëzhgimi i natyrës”, sipas komunikatës.

Kirkeby kishte studiuar histori natyrore dhe gjeologji në vitet 1950 dhe kishte marrë pjesë në shumë ekspedita në Arktik dhe Grënland.

Këto udhëtime kanë frymëzuar shumë ngjyrat e tij dhe stilin e tij që ai vetë e cilëson si një “proces të sedimentimit”. /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.