Nëpunësit civilë, orientim drejt meritokracisë

TIRANË, 10 Maj/ATSH/ – Strategjia e Reformës në Administratën Publike paraqitet në ecuri të mire. Kuadri ligjor për nëpunësit civilë është i plotë dhe i qartë. Administrata shtetërore në tërësi paraqitet e qëndrueshme, duke synuar më tepër performancë tek nëpunësit civilë dhe duke u orientuar drejt meritokracisë.

Zv/ kryeministrja Senida Mesi duke folur për raportin vjetor të veprimtarisë së Departamentit të Administratës Publike për vitin 2017, u shpreh se, viti 2017 ka shënuar rritje përsa i përket realizimit të planit të aktiviteteve.

Gjithashtu, theksoi Mesi, “ka filluar puna për vlerësimin afatmesëm të strategjisë dhe hartimin e planit të ri të aktiviteteve për periudhën 2018 – 2020, duke vlerësuar edhe nevojat financiare për zbatimin e strategjisë për trevjeçarin e ardhshëm”

“Institucionet e administratës shtetërore janë të qarta tashmë në rolin që ato kanë në menaxhimin e burimeve njerëzore, si dhe rolin e DAP si njësi përgjegjëse për menaxhimin dhe koordinimin e të gjitha procedurave që lidhen me burimet njerëzore. Gjithsesi, akoma është e nevojshme rritja e kapaciteteve të njësive të burimeve njerëzore në institucionet e administratës, lidhur me zbatimin e legjislacionit të shërbimit civil, me fokus të veçantë sidomos në drejtim të planifikimit të vendeve vakante, si dhe grupimit të pozicioneve të ngjashme sipas tipologjisë së tyre”, theksohet në raportimin e DAP për vitin 2017.

Po ashtu, procesi i transferimit të nëpunësve civilë në kuadër të mbylljes apo ristrukturimit të institucioneve (ristrukturimi), ka pësuar përmirësim të ndjeshëm. Nga ana e institucioneve dhe Departamentit të Administratës Publike janë zbatuar më me rigorozitet dhe cilësi procedurat e përcaktuara në legjislacionin e nëpunësit civil në këtë drejtim. Një përmirësim i ndjeshëm në këtë drejtim ishte përcaktimi i një metodologjie të qartë (vlerësimi me pikë) për transferimin e nëpunësve civilë në kuadër të ristrukturimit të institucioneve.

Mesi tha se, vihet re një rritje e numrit të kandidatëve që konkurrojnë për një vend pune (mesatarisht 18 kandidatë/1vend pune), por ka ende nevojë për të përmirësuar procesin e vlerësimit tërësor të njohurive profesionale dhe aftësive individuale të tyre.

Edhe gjatë vitit 2017, DAP ndërmori një sërë fushatash informuese në bashkëpunim me institucionet e arsimit të lartë, si dhe rrjetet sociale, për të komunikuar procedurat që duhet të ndiqen nga të interesuarit për një vend pune në administratën shtetërore.

Vihet re se ka vazhduar trendi në rritje i njohjes së legjislacionit të shërbimit civil, në drejtim të të drejtave dhe detyrimeve të nëpunësve civilë, si dhe të procedurës disiplinore, sidomos të anës formale të saj, si rezultat i punës së vazhdueshme të përfaqësuesve të DAP në këto komisione, për  ndërgjegjësimin e anëtarëve të komisioneve disiplinore për respektimin e të gjithë elementëve të procedurës formale të këtij procesi. Konkretisht, gjatë vitit 2017 kemi një ulje në masën 40.4% të masave disiplinore në tërësi dhe një ulje me 40% të masës disiplinore “Largim nga shërbimi civil”.

Sa i takon zbatimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë për vitin 2017, janë zbatuar 46 vendime, duke shënuar një rritje prej 43.75%, krahasuar me vitin 2016, si dhe një rritje prej 31.3% i indikatorit të zbatimit të të gjitha vendimeve gjyqësore të mbartura që nga fundi i vitit 2013 e në vijim.

Sa i takon vlerësimit të njohurive shtesë të nëpunësve civilë në pozicione me funksione inspektimi, procesi tregoi se kapacitetet në këtë fushë ishin mesatare dhe nxorri si nevojë rritjen e këtyre kapaciteteve nëpërmjet trajnimeve të dedikuara në këtë fushë.

Përsa i përket reformës funksional strukturore, gjatë vitit 2017, u realizua reforma e organizimit të brendshëm të aparatit të Kryeministrisë dhe ministrive të linjës, duke i vendosur ministritë në rolin e tyre udhëheqës në sektorin përkatës, duke bërë lehtësimin e aparatit të ministrive nga funksionet menaxheriale, operacionale, lëvrim shërbimesh,  prokurime, dhënie liçencash, zbatim projektesh, etj, duke i zbritur këto nëpër agjenci.

Gjithashtu, filloi puna për reformimin e institucioneve të varësisë. Gjithsesi, sfida për vitin në vazhdim mbetet rishikimi funksional strukturor i institucioneve të varësisë dhe përcaktimi i rregullave dhe standardeve të qarta në fushën e ndërtimit të institucioneve dhe të matjes së performancës së tyre.

Në kuadër të përmirësimit të cilësisë së përshkrimeve të punës dhe standardizimit të tyre, u miratuan përshkrime standard dhe kërkesat minimale për efekt rekrutimi për 8 grupe pozicionesh (Specialistë të financës, Specialistë të buxhetit, Specialistë të prokurimeve, Specialistë të burimeve njerëzore, Specialistë arkiv/protokolli, Specialistë të marrëdhënieve me publikun, Specialistë jurist, Specialist të teknologjisë së informacionit).
Këto përshkrime pune të unifikuara shërbejnë edhe për përmirësimin e mëtejshëm të procedurave dhe cilësisë së rekrutimit në këto pozicione.

Për vitin 2018 objektiv strategjik për Departamentin e Administratës Publike mbetet zhvillimi i mëtejshëm i një shërbimi civil profesional, të paanshëm, të pavarur dhe të bazuar në meritë.

Hartimi dhe miratimi i Planit te ri të aktiviteteve për t’u zbatuar për periudhën 2017- 2020, në zbatim të Strategjisë Ndërsektoriale të Reformës në Administratën Publike 2015-2020, duke siguruar edhe nevojat financiare në kuadër të Programit Buxhetor Afatmesëm.

Forcimi i kapaciteteve të DAP dhe njësive të burimeve njerëzore në institucionet e administratës shtetërore, për të çuar përpara reformën në shërbimin civil, nëpërmjet trainimeve të vazhdueshme për kuptimin e politikave të menaxhimit të burimeve njerëzore, ndërlidhjen dhe efektet e tyre. Fokus i veçantë do t’i kushtohet unifikimit të praktikave për menaxhimin e burimeve njerëzore dhe planifikimit të burimeve njerëzore në shërbimin civil.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.