Haradinaj: Shëndetësia prioritet i qeverisë

PRISHTINË, 10 maj/ATSH/- “Gjendja në sektorin e shëndetësisë ka ndryshuar dukshëm. Sot në shëndetësinë e Kosovës ka më shumë seriozitet, dinamikë të punës dhe rezultate”, ky konstatim doli pas një takimi pune që Kryeministri Ramush Haradinaj zhvilloi me ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili.

Gjatë takimit, Haradinaj u njoh me gjendjen në sektorin e shëndetësisë, për reformat në këtë sektorë të ndjeshëm, të cilat kanë për qëllim vendosjen e rendit dhe rregullit në shëndetësinë kosovare.

“Shëndetësia ka qenë tema e parë me prioritet që nga fillimi i punës tonë si qeveri. Falënderoj ministrin për marrjen me seriozitet të kësaj teme dhe kësisoj sot mund të konstatojmë se gjendja në sektorin shëndetësorë është ndryshe, ka më shumë seriozitet, dinamikë dhe rezultate ”, – tha Haradinaj pas takimit me ministrin Ismaili.

Duke i cilësuar mjekët heronj të Kosovës,  Haradinaj u shpreh se “mjekëve duhet t’u jepet dinjiteti, në radhë të parë profesional dhe njerëzor, por edhe material”.

“Jemi bashkë në këtë proces edhe në rishikimin e buxhetit edhe në planifikimin për vitin që vjen. Pra nuk do të ndalemi që të arrijmë rezultatin. Jam optimist se do ta arrijmë këtë dhe për këtë ju siguroj se do të qëndrojmë bashkë. Tani është koha të ecim para”, – tha ai.

Kryeministri Haradinaj dhe ministri Ismaili thanë se po bëhen punë serioze që të vendoset rregull në listën esenciale të barnave.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, vizitën e Kryeministrit e cilësoi si ditë të veçantë për Ministrinë e Shëndetësisë. Me këtë rast, ministri Ismaili tha se vizitat që bashkërisht me Kryeministrin i ka bërë në QKUK dhe kjo vizitë në Ministri të Shëndetësisë, tregon se ky sektor ka një vëmendje të veçantë nga qeveria.

Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Haradinaj takoi edhe drejtorët e departamenteve të MSH-së dhe krerët e institucioneve vartëse të MSH-së, nga të cilët kërkoi besim dhe përkushtim në punën me të cilët janë ngarkuar, si pjesë e nismës së përbashkët për ta ndryshuar gjendjen në shëndetësi. /k.s/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.