Çelet sezoni turistik në Gjirokastër

TIRANË, 10 maj/ATSH/ – Gjirokastra ka çelur sezonin e ri turistik.

Me këtë rast qytetin e gurtë e ka vizituar Presidenti Ilir Meta, i cili u prit në sheshin “Çerçizi” nga kryetarja e bashkisë Zamira Rami, autoritetet vendore, deputetë dhe qindra banorë.

Presidenti Meta mbolli lule në sheshin kryesor të Gjirokastrës dhe zhvilloi një ecje në këmbë e takime me banorë e të shumtë në rrugët karakteristike të Pazarit të Gjirokastrës.

Presidenti Meta gjithashtu i akordoi titullin “Mjeshtër i madh” doktorit të shquar të Gjirokastrës, Vasil Laboviti.

“Kam kënaqësinë, nderin e privilegjin të vlerësoj sot këtë figurë të shquar, humanist e personalitet të spikatur e të dashur për Gjirokastrën. Me një humanizëm të madh e me profesionalizëm të jashtëzakonshëm, Doktor Laboviti ngeli në memorien e bashkëqytetarëve të vet. Nderojmë sot me mirënjohje e admirim figurën e Doktor Labovitit dhe aktivitetin e tij të jashtëzakonshëm. E paharruar vepra e Vasil Labovitit në shërbim të Gjirokastrës, veçanërisht gjatë Luftës antifashiste nacionalçlirimtare”, – tha Presidenti Meta.

Ndërsa kryebashkiakja e Gjirokastrës Zamira Rami u shpreh se, prania e Presidentit ishte shenjë e vëmendjes, dashurisë e përkujdesjes së tij për Gjirokastrën.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.