Kuvendi, rezolutë për çeljen e negociatave me BE-në

234

TIRANË, 9 maj/ATSH/.- Në Ditën e Europës, grupi Parlamentar Socialist ka depozituar projekt-Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë mbi Rekomandimin e Komisionit Europian për Hapjen e Negociatave të Anëtarësimit midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë.

“Duke shpresuar se edhe opozita do ta mbështesë Shqipërinë në këtë moment historik të rrugës sonë europeiste, duke hequr dorë nga balta kundër imazhit të Shqipërisë, ftesa jonë është që kjo Rezolutë të miratohet sa më parë nga të gjithë anëtarët e Kuvendit”, – deklaron kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.

Në 12 pika të projektrezolutës, Kuvendi i Shqipërisë thekson se mirëpret progres raportin e Komisionit Europian i cili rekomandon çeljen e negociatave, ndërsa i bëhet thirrje vendeve të BE-së, pas skepticizmit të disa shteteve, për të miratuar çeljen e negociatave në qershor.

Një thirrje e drejtpërdrejtë e Kuvendit shkon për qeverinë shqiptare të cilës i kërkon të thellojë dhe përshpejtojë ritmin e reformave të ndërmarra, veçanërisht të reformave që lidhen me sundimin e ligjit.

Duke vlerësuar Raportin e Komisionit Europian të vitit 2018 për progresin dhe shkallën e përgatitjes për anëtarësim të arritur nga Shqipëria, Kuvendi vlerëson rekomandimin e KE për hapjen e negociatave si njohje të qartë të arritjeve të Shqipërisë në ndërtimin e shtetit të së drejtës, e specifikisht në reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformën në administratën publike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut,

Gjithashtu, Kuvendi shpreh angazhimin për të shqyrtuar me prioritet projektligjet që synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Europian, apo kanë rëndësi për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

/k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.