Integrimi europian interes kombëtar, asnjë forcë politike s’duhet të bëhet pengesë

262

TIRANË, 9 Maj/ATSH/ “Anëtarësimin në BE duhet ta vlerësojmë si një përpjekje të përbashkët për të ecur përpara dhe dobiprurës për të qytetarët. Integrimi Europian është shtysa më inkurajuese për ndërtimin e Shqipërisë Perëndimore dhe demokratike me një ekonomie të qëndrueshmë dhe mirëqenie. Ne duhet të punojmë për këtë mirëqenie për të gjithë shqiptarët”.

Në ditën e Europës, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka kërkuar konsensus afatgjatë mes mazhorancës dhe opozitës për të bërë të mundur aderimin e plotë në Bashkimin Europian.

Gjatë një takimi me gazetarët, Ruçi tha se asnjë forcë politike për asnjë arsye nuk duhet të pengojë për të arritur këtë objektiv.

“Përvoja e suksesshme e zgjerimit të BE drejt vendeve të Europës Lindore dhe qendrore na mëson se objektivi i aderimit në BE mund të arrihet vetëm kur ka konsensus afatgjatë dhe të qëndrueshëm mes shumicës dhe opozitës”, tha Ruçi.

“Integrimi në BE është një interes strategjik dhe kombëtar që gëzon mbështetjen e të gjithë qytetarëve shqiptarë, prandaj asnjë forcë politike dhe për asnjë arsye nuk mund dhe nuk duhet të pengojë arritjen e këtij objektivi strategjik”, u shpreh kreu i Kuvendit.

Gjithashtu, kryeparlamentari u ndal te skepticizmi i Holandës për rekomandimin pozitiv të KE për çeljen e negociatave në muajin qershor.

Ai tha se nuk është e drejtë që Shqipëria të identifikohet si një vend ku mbillet kanabisi, ndërkohë që fara dhe tregu vijnë nga Holanda.

“Ne bëmë zgjedhjen tonë, ose të rrëzonim diktaturën dhe Shqipërinë ta hapnim, siç u hap ose duhet të mbanim diktaturën dhe të qëndronim mbyllur pa këto fenomene.  Dhe të gjitha këto fenomene nuk i çuan shqiptarët në Europë, por i gjetën mes europianëve. Dhe gjithë kjo betejë ose kjo luftë duhet fituar bashkërisht. Se do të vazhdoja t’i thoja kolegut holandez që nëse është njollë e zezë mbjellja e hashashit, e vetmja në Shqipëri, fara vjen nga Holanda, teknologjia është në Holandë, tregu është në Holandë se është e ligjëruar dhe unë nuk akuzoj Holandën që është vendi i BE, por kam të drejtën të mos më identifikojnë mua si vend me këto, por të më vlerësojë për përpjekjet që unë bëj dhe rezultatet e arritura si rezultat i zbatimit të ligjit deri tek vettingu për ta përvëluar këtë fenomen negativ për vendin tonë”, tha Ruçi.

Ai tha se anëtarësimi në BE duhet ta vlerësojmë si një përpjekje të përbashkët për të ecur përpara dhe dobiprurës për të qytetarët.

Ruçi vlerësoi edhe rolin e Kuvendit në proceset integruese të vendit. Sipas tij angazhimi i Kuvendit ka filluar që në Kuvendin e parë pluralist në vend duke e forcuar më tej rolin e tij legjislativ, politik e përbashkues.

“Angazhimi i Kuvendit me proceset integruese filloi që me Kuvendin e parë pluralist, duke synuar ëndrrën e rinisë sonë: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”. Kuvendi ka ngritur struktura për përgjegjësitë e tij në proceset integruese. Kontributi i Kuvendit është në miratimin e reformave të domosdoshme si kërkesa e standarde të BE-së. Roli i Kuvendit në proceset integruese ka qenë legjislativ, politik e përbashkues”, tha Ruçi.

“Kuvendi ka përmirësuar funksionimin e tij, roli është forcuar dukshëm përmes shtimit të nismave ligjore, transparenca është arritur më tej. Roli kontrollues i kuvendit është forcuar me vënien e mekanizmit kuvend-qeveri -institucione të pavarura”, u shpreh ai.

Ruçi tha se, integrimi europian është shtysa për ndërtimin e Shqipërisë demokratike që garanton mirëqënie e stabilitet, ndërsa ftoi mediat që të japë kontributin e saj në këtë proces.

“Ne duhet të punojmë për të garantuar këtë mirëqënie për të rritur ndikimin e Shqipërisë. Ftoj median të kontribuojë mbi sfidat, detyrat dhe përfitimet e këtij procesi jetik për vendin tonë”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.